Sipas të dhënave zyrtare, Indeksi i Çmimeve të Konsumit për muajin Qershor 2025 ka arritur në nivelin 119.2, duke marrë si pikë reference Dhjetorin 2020. Brenda katër viteve, kostoja e jetesës ka pësuar rritje të vazhdueshme, por ajo që bie në sy këtë muaj është ndryshimi vjetor me 2.4%, më i larti që nga Shkurti i vitit të kaluar. Në pamje të parë, këto janë thjesht shifra. Por prapa tyre qëndron realiteti i përditshëm i qytetarëve shqiptarë: buxhete familjare që vlejnë gjithnjë e më pak për të përmbushur nevojat bazë.
Kjo rritje e qershorit lidhet drejtpërdrejt me sezonin turistik. Hotelet, restorantet dhe kafenetë shënojnë fluks klientësh në verë, duke i dhënë impuls çmimeve të shërbimeve dhe produkteve ushqimore. Në fakt, grupi që ndikoi më shumë në rritjen e përgjithshme ishte “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një kontribut prej 1.19 pikë përqindje. Pra, kryesisht ushqimi po rëndon xhepin e qytetarit. Pas ushqimeve, vijnë shpenzimet për “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me ndikim prej 0.36 pikë përqindje, dhe më pas mobiliet e pajisjet e shtëpisë, pijet alkoolike dhe duhani, argëtimi dhe kultura, si dhe hoteleria e gastronomia.
Interesant është fakti që vetëm grupi “Transporti” ka shënuar ulje çmimesh me 0.5%. Megjithatë, kjo ulje nuk e zbut dot efektin e rritjeve të tjera në buxhetet familjare. Po brenda grupit të ushqimeve, cilat janë produktet që po bëhen luks për shumë familje? Vajrat dhe yndyrnat janë rritur me 7.6%, zarzavatet me 5.3%, qumështi, djathi dhe vezët me 4.6%, mishi me 4%, peshku me 2.4% dhe frutat me 1.3%.
Pyetja e rëndësishme është: Po pagat?
Nëse inflacioni po qëndron në rreth 2-3% dhe paga minimale apo mesatare nuk pëson të njëjtën rritje reale, atëherë kjo rritje çmimesh përkthehet në varfërim të heshtur. Kur të dhënat zyrtare përmendin shifra, ato nuk shpjegojnë vuajtjen e një familjeje që duhet të zgjedhë mes ushqimit dhe pagesës së faturave. Prandaj, ndërsa flasim për sukseset e turizmit, rritjen e konsumit dhe zhvillimin ekonomik, duhet të kemi gjithmonë parasysh se zhvillimi që nuk përkthehet në mirëqenie të përbashkët është veç një iluzion statistikash.