Edhe pse paguhen mesatarisht vetëm 41% të rrogës së një europiani, shqiptarët gjatë vitit 2024 kanë paguar deri në 50% më shumë për shumë mallra dhe shërbime bazë, sipas të dhënave zyrtare të Eurostat mbi indeksin krahasues të çmimeve. Diferencat e çmimeve janë llogaritur sipas paritetit të fuqisë blerëse (PPP), një metodë që tregon se sa mallra mund të blesh realisht me të ardhurat në secilin vend.
Pijet alkoolike dhe teknologjia, më të shtrenjtat në rajon
Produkti që rezulton më i shtrenjtë në Shqipëri janë pijet alkoolike, të cilat kushtojnë gati 53% më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Ndjekin pas pajisjet teknologjike dhe elektronike si televizorë, kompjuterë dhe pajisje audio-vizuale, të cilat kushtojnë 49.5% më shumë se në BE. Edhe elektroshtëpiaket si frigoriferë dhe lavatriçe janë 45.8% më të shtrenjta.
Ushqimet, nga më të përballueshme në 2013, në më të kushtueshmet në 2024
Për çudi, çmimet për ushqime bazë si qumështi, djathi dhe vezët janë rritur me ritme të shpejta dhe tashmë janë 31.5% më të shtrenjta se në BE. Në vitin 2013, ky grup ishte 10% më i lirë se mesatarja europiane. Në 2020 për herë të parë e kaloi atë, dhe sot është shumë mbi.
Gjithashtu, ushqimet e tjera kushtojnë 25% më shumë, pijet joalkoolike 19% më shumë dhe mobiljet shtëpiake 11.5% mbi mesataren. Deri edhe komunikimi është më i shtrenjtë në Shqipëri (102.7%).
Çfarë është ende më lirë?
Vetëm duhani dhe shërbimet e restoranteve dhe hoteleve mbeten më të lira. Duhani kushton vetëm 46.8% e mesatares europiane, ndërsa restorantet dhe hotelet 52.3%.
Shqipëria, më e shtrenjta në rajon
Me një indeks çmimesh prej 62.9% të mesatares së BE-së, Shqipëria është tani vendin më të shtrenjtë në rajon, duke lënë pas Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, dhe duke iu afruar Kroacisë (73.3%). Vetëm dy vite më parë, Shqipëria kishte nivelin më të ulët të çmimeve në rajon.
BE-ja, mes luksit nordik dhe përballueshmërisë lindore
Sipas Eurostat, Danimarka, Irlanda dhe Luksemburgu ishin vendet më të shtrenjta në BE për konsumin familjar, ndërsa Bullgaria, Rumania dhe Polonia ofrojnë koston më të ulët. Shkalla më e madhe e diferencave është te alkooli, duhani dhe restorantet, të ndikuara drejtpërdrejt nga politikat e taksimit dhe standardi i jetesës.
Ironia shqiptare: çmime europiane, paga afrikane
Përfundimi? Shqiptarët jetojnë me çmime që shkojnë drejt standardit të BE-së, por me të ardhura shumë më të ulëta. Kjo përkeqëson ndjeshëm fuqinë reale blerëse të qytetarëve, duke i kthyer produktet bazë në luks të përditshëm, jo domosdoshmëri.