Një deklaratë tronditëse ka ardhur nga gazetari Çim Peka, i cili ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Sipas tij, makineritë e lojërave të fatit po shpërndahen nga vetë policia me furgonët e saj, në një skemë të mirëorganizuar që ka si synim fuqizimin e monopoleve të lojërave të fatit.
Qeveria po jep leje ndërtimi dhe licenca për lojërat e fatit
Peka denoncoi publikisht se qeveria po jep leje ndërtimi për kazino dhe qendra lojërash fati, por shtoi se askush nuk do t’i gëzojë këto investime. “Po, është e vërtetë që po jua jep, por nuk i gëzonit me Ramën kryeministër dhe prapë nuk do t’i gëzoni ato tani,” deklaroi ai.
Dosjet që po shtyhen për pas zgjedhjeve
Gazetari ngriti një alarm serioz për proceset ligjore që sipas tij janë duke u vonuar me qëllim. “Dosjet janë shtyrë në kohë, dhe marrëveshja me Ramën dhe Dumanin mund të jetë shtyrë qëllimisht për pas zgjedhjeve. Këto dosje nuk mbyllen dot, ato presin vetëm një firmë,” tha ai, duke aluduar se pas zgjedhjeve mund të ketë arrestime të bujshme.
Takimi me emigrantët dhe frika nga arrestimi
Ai gjithashtu foli për takimet e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, me emigrantët në Londër. “Fillimisht e prisnin, pastaj nuk bënte më takime. Momentin që u përhap lajmi se ai mund të arrestohej, emigrantët e kishin të qartë që po investonin për dikë që mund të shkonte në burg pas zgjedhjeve,” tha Peka.
Bandat në alarm dhe lidhjet me qeverinë
Ai e krahasoi situatën me rastin e bandave kriminale, duke theksuar se pavarësisht favoreve që po marrin nga qeveria, pas zgjedhjeve ato do të përballen me drejtësinë. “Rama ju ka dhën sot licenca, parcelat e kanabisit në Shkodër dhe Malësinë e Madhe, por pas zgjedhjeve gjithë ata që janë pjesë e këtij sistemi do jenë pas hekurave,” tha ai.
Sipas tij, kjo është një skemë e mirëlëvizur, ku fillimisht jepen leje dhe favore, por në fund askush nuk do të jetë i mbrojtur nga ndëshkimi ligjor. “Rama do thotë: Unë jua dhashë, por s’kam çfarë t’ju bëj më, SPAK-u tani e ka fjalën,” shtoi ai.
Deklaratat e Çim Pekës janë një alarm i fortë për situatën politike dhe kriminale në vend. Ato hedhin dritë mbi prapaskenat që po ndodhin në prag të zgjedhjeve dhe mbi faktin se pas 25 prillit mund të ketë goditje të forta nga drejtësia.