FLASH :

“Cilësia e drejtësisë në Shqipëri”/ ‘Me rëndësi, arsyetimi i vendimeve’, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi: Një vendim i pakuptueshëm, konflikt për të nesërmen

Në Tiranë u zhvillua konferenca me temë “Cilësia e drejtësisë në Shqipëri”.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se cilësia e drejtësisë matet edhe me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe  parashikueshmërinë e vendimmarrjes.

“Cilësia e drejtësisë nuk matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e ngarkesës së çështjeve, por mbi të gjitha me forcën e arsyetimit, qartësinë dhe me parashikueshmërinë e vendimmarrjes. Shpejtësia është e rëndësishme, por shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike. Ngarkesa dhe prapambetja janë realitete që nuk i shmangim lehtë. Megjithatë, drejtësia nuk mund të matet vetëm me numra. Treguesit statistikorë janë të dobishëm, por prova kryesore mbetet vendimi i arsyetuar, i kuptueshëm dhe i zbatueshëm.”, theksoi ai.

Sadushi u shpreh se në qendër të diskutimit, qëndron roli i jurisprudencës veçanërisht i asaj të Gjykatës së Lartë.

Në qendër të këtij diskutimi qëndron roli i jurisprudencës veçanërisht i asaj të Gjykatës së Lartë, në ndërthurje me dimensionin kushtetues, si një shtyllë e besimit të publikut dhe e stabilitetit në zbatimin e ligjit. Kjo përgjegjësi shkon përtej zgjidhjes së mosmarrëveshjeve individuale dhe kërkon parime të qëndrueshme, zbatim të njëtrajtshëm dhe komunikim të kuptueshëm në të gjitha nivelet e gjyqësorit.

Në këtë seancë hapëse, prezantojmë edhe botimin e integruar të jurisprudencës, që synon ta bëjë praktikën gjyqësore të konsoliduar më të përdorshme për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe publikun. Ky botim, i cili përzgjedh vendimet interpretuese të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese sipas dispozitave të kodeve materiale dhe procedurale civile e penale, është një gjetje e vlefshme dhe e nevojshme. Synimi i tij është ta kthejë standardin në mjet pune, që gjendet lehtë, kuptohet njëlloj dhe përdoret realisht në arsyetim. Në këtë kuptim, botimi është edhe shprehje e angazhimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë për të investuar te cilësia e drejtësisë.

Qëndrueshmëria e vendimeve dhe vijueshmëria e interpretimit janë kusht që ligji të zbatohet pa devijime. Koherenca e jurisprudencës nuk është luks, nuk është një qëllim akademik; është siguri juridike dhe barazi. Mjafton të shohim pasojat kur kjo mungon; zgjidhje të ndryshme për raste të ngjashme, krijojnë pasiguri për qytetarin, rrisin pasigurinë dhe dobësojnë besimin publik.”, u shpreh Sadushi.