Këngëtari i njohur amerikan, Chris Brown, është liruar me kusht nga një gjykatë britanike në pritje të gjykimit për një incident të ndodhur në vitin 2023, ku akuzohet për një sulm të paprovokuar në një klub nate në Londër.
36-vjeçari përballet me akuzën e dëmtimit të rëndë trupor, pasi dyshohet se ka goditur producentin muzikor Abraham Diaw me një shishe tekile gjatë një konflikti në lokal. Ngjarja ndodhi gjatë një vizite të Brown në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ai u arrestua vetëm javën e kaluar në një hotel në Manchester, me të kthyer për herë të parë në vend që nga incidenti.
Vendimi për lirimin me kusht u dha nga Gjykata e Lartë e Southwark, duke i hapur rrugën këngëtarit të vijojë përgatitjet për turneun e tij botëror që nis muajin e ardhshëm. Brown nuk ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit dhe nuk është kërkuar ende që të deklarohet fajtor ose i pafajshëm.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 20 qershor, ndërkohë që paralelisht po zhvillohet edhe një proces civil: Abraham Diaw ka ngritur padi ndaj Chris Brown, duke kërkuar 16 milionë dollarë dëmshpërblim për dëmet që pretendon se ka pësuar nga sulmi.
Nëse shpallet fajtor për akuzën penale, Chris Brown mund të përballet me një dënim deri në 16 vjet burg. Ky është një tjetër episod në një serë problemesh ligjore për artistin, i cili më parë është përballur me akuza për dhunë dhe sjellje të pahijshme në publik.







