Dikur diploma e universitetit ishte një çelës magjik: mbaroje shkollën, hyje në tregun e punës dhe gjeje vendin tënd. Por sot, në një botë ku inteligjenca artificiale shkruan tekste, analizon të dhëna, madje edhe harton politika, ky rregull i vjetër nuk funksionon më. ChatGPT “u diplomua” pa kaluar asnjë provim, dhe papritur konkurron me të rinjtë që sapo kanë marrë diplomën me djersë e mundim. Pyetja është: kush do ta marrë punën tani?
Filozofë si Luciano Floridi flasin për “infosferen” një hapësirë ku njerëzit dhe makinat bashkëjetojnë çdo ditë. Në këtë botë të re, të dish vetëm teori nuk është e mjaftueshme. Sot vlen aftësia për të përdorur mjetet digjitale, për të bashkëpunuar me inteligjencën artificiale dhe për të pasur një busull etike që të udhëzon. Universitetet, duket sikur kanë mbetur pas. Shumë prej tyre ende ofrojnë kurrikula të vjetra, të ndërtuara mbi dije abstrakte, pa i mësuar studentët si të përballen me realitetin digjital. Këtu lind rreziku i madh, diploma të mos ketë më peshë, jo sepse studentët nuk kanë mësuar, por sepse nuk dinë si të veprojnë në një treg pune ku AI është bërë lojtar kryesor.
Sipas një raporti ndërkombëtar, deri në vitin 2030, rreth 30% e punëve që sot kryhen nga të diplomuarit mund të bëhen nga AI. Dhe nuk flitet për punë monotone. Janë detyra si analizimi i të dhënave, vizualizimi i informacionit, hartimi i politikave apo edhe krijimi i përmbajtjes. Kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk do të kenë më vend, por që aftësia më e rëndësishme nuk është vetëm njohja teknike. Duhet aftësia për të menduar kritikisht, për të bërë pyetjet e duhura dhe për të parë përtej asaj që ofron ekrani. Në urbanistikë, në inxhinieri, në komunikim, kudo do të kërkohet që profesionistët të jenë të zotë jo vetëm me dijet klasike, por edhe me gjuhën e re të makinave.
Studentët me mundësi ekonomike të kufizuara, emigrantët apo ata që vijnë nga universitete më të vogla janë më të ekspozuar ndaj humbjes së terrenit përballë AI. Suksesi sot nuk varet vetëm nga çfarë ke mësuar, por se cilat mjete di të përdorësh, cilat rrjete ke ndërtuar dhe sa shpejt përshtatesh. Universitetet, në vend që të barazojnë shanset, shpesh prodhojnë të njëjtën kurrikul për të gjithë, duke lënë në hije ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe për fuqizim.
Çfarë duhet të bëjnë universitetet? Në vend që të fokusohen vetëm te “të të gjejnë një punë”, universitetet duhet të formojnë qytetarë që mendojnë, që dinë të pyesin, që dinë të vendosin kufij dhe të kërkojnë përgjegjësi nga teknologjia. ChatGPT mund të të japë një ese të gatshme, por nuk mund të të japë empati, ndjeshmëri shoqërore, ndershmëri dhe vizion moral. Nëse arsimi i lartë e kufizon veten vetëm tek “të punësosh studentët”, atëherë shumë shpejt do ta humbasë garën. Por nëse e sheh misionin e tij si formim njerëzor duke ndërtuar mendimtarë që jo vetëm dinë të kodojnë, por edhe të vënë në dyshim vetë kodin.
E ardhmja nuk do të ndahet mes atyre që dinë dhe atyre që nuk dinë. Do të ndahet mes atyre që dinë të bashkëjetojnë me inteligjencën artificiale dhe atyre që mbeten pas. Diplomat do të kenë vlerë vetëm nëse shoqërohen me guximin për të pyetur: “Pse?”, “Për kë?”, dhe “Çfarë pasoje ka kjo?” Në fund, nuk është vetëm çështje punësimi. Është çështje se kush do të udhëheqë me mendje dhe me zemër në një botë ku edhe makinat pretendojnë të jenë “të diplomuara”.