FLASH :

Charlie Kirk u vra në Utah, gruaja e tij reagon mes lotësh: Nuk do ta lë kurrë të shuhet trashëgiminë e tij

Bashkëshortja e Charlie Kirk, Erika, ka mbajtur një fjalim prekës pas vrasjes së bashkëshortit të saj, ku falenderoi ekipet e shpëtimit që u përpoqën t’i shpëtonin jetën aktivistit konservator, i cili u qëllua për vdekje të mërkurën në një universitet në Utah.

Në një transmetim live nga selia e Turning Point USA në Arizona, ku në qendër qëndronte karrigia bosh që Kirk përdorte për regjistrimin e podkasteve, Erika citoi vargje nga Bibla dhe foli për dashurinë e tij ndaj presidentit Donald Trump, zëvendëspresidentit JD Vance, Shteteve të Bashkuara dhe dy fëmijëve të tyre.

“Zëri i bashkëshortit tim do të mbetet përjetë. Nëse mendoni se misioni i tij ka qenë i fuqishëm më parë, nuk keni asnjë ide çfarë keni shkaktuar tani”, tha ajo me lot në sy.

Ajo falenderoi gjithashtu stafin e bashkëshortit të saj, Shtëpinë e Bardhë dhe Vance me bashkëshorten e tij, që shoqëruan arkivolin drejt Arizonës. Mes emocionit, ajo kujtoi dashurinë e Kirk për fëmijët.

“Mbi të gjitha, Charlie më donte mua dhe fëmijët tanë me gjithë zemër”, tha ajo.

Erika tregoi se po përpiqet t’i shpjegojë vajzës 3-vjeçare dhe djalit 1-vjeçar mungesën e babait.

“Mos u shqetëso, babi është me Jezusin në një udhëtim pune”, tha ajo.

Charlie Kirk, 31 vjeç, ishte një nga figurat më të zëshme të konservatorizmit amerikan dhe një mbështetës i fortë i Trump. Ai njihej për qëndrimet e tij kundër abortit, mbështetjen për të drejtat e armëmbajtjes dhe kritikat ndaj komunitetit LGBT, që shpesh e bënin një figurë tejet përçarëse në universitetet ku mbante ligjërata.

Turneu i tij në kampuset amerikane dhe podkasti i nisur prej tij do të vazhdojnë, konfirmoi e veja, duke e cilësuar këtë si mënyrën më të mirë për të mbajtur gjallë trashëgiminë e tij.

Ndërkohë, i dyshuari për vrasjen, Tyler Robinson, u arrestua të enjten pasi iu dorëzua policisë.