Charli XCX ndezi atmosferën në Glastonbury këtë fundjavë duke zgjedhur këngëtaren Gracie Abrams si “Apple girl” të radhës gjatë performancës së saj në skenën “The Other Stage”. Në një moment të shndërruar në traditë, Charli – me gotën e verës në dorë – prezantoi një të ftuar speciale për të kërcyer koreografinë virale të këngës së saj “Apple”, nga albumi Brat i vitit 2024.
Gracie Abrams, vajza e regjisorit të njohur J.J. Abrams, u shfaq në ekran duke interpretuar lëvizjet e famshme të krijuara në TikTok nga Kelley Heyer, përfshirë gjestin simbolik të mbajtjes së një mollë imagjinare. Reagimet në rrjet ishin të përziera: disa e panë si një moment argëtues dhe “ikonik”, ndërsa të tjerë sugjeruan me ironi se “babi i kishte blerë vendin në skenë”.
Por polemikat nuk përfunduan aty. Pas performancës, Charli u përball me kritika të ashpra për përdorimin e autotune dhe akuzat për playback. Në rrjetin X, këngëtarja reagoi duke ironizuar komentet: “Ideja që të këndosh me autotune të bën të jesh ‘fake artist’ është opinioni më i mërzitshëm ndonjëherë.”
Pavarësisht kritikave, Charli XCX dha një show energjik, i cili përfshiu hite si Speed Drive, Sympathy Is a Knife dhe 360, ndërsa veshja e saj provokuese dhe skenografia e fuqishme ndihmuan në krijimin e një performance që u diskutua gjerësisht – për mirë apo për keq.







