Charli XCX dhe George Daniel janë tashmë të martuar! Këngëtarja britanike e hitit “360” dhe bateristi i grupit The 1975 i kanë dhënë fund beqarisë pas një lidhjeje trevjeçare. Lajmin e ka konfirmuar vetë Charli përmes një videoje në TikTok, ku shfaqet me një fustan të bardhë me supe të zbuluara dhe fund asimetrik, me velo, syze dielli dhe këpucë të bardha, teksa hyn në një dhomë.
“Nëse George nuk qan kur më sheh teksa ec drejt altarit,” shkruhej në tekstin e videos, ndërsa në përshkrim shton: “fatmirësisht qau xx”. Në një tjetër video, ajo tregon atmosferën festive me miqtë, me mbishkrimin: “energjia e festës së nuses!”.
Çifti u fejuan në nëntor 2023, ndërsa lidhjen publike e kishin konfirmuar në Instagram në maj 2022. Martesa vjen në kulmin e suksesit të Charli XCX, e cila pas publikimit të albumit të saj “Brat” në qershor 2024, mori shtatë nominime për Grammy dhe fitoi tre çmime në edicionin e këtij viti.