Nga Maksi Çami
Partia Demokratike ka hyrë në një udhëkryq që sa vjen e thellohet. Për më shumë se një dekadë, kjo forcë politike nuk ka mundur të realizojë një proces të brendshëm demokratik që të sjellë energji të reja, vizione të ndryshme dhe përfaqësim real të bazës së saj. Që prej garës së munguar mes Bashës dhe Olldashit apo Selamit, e më pas farsës së përsëritur me Shehajn apo Hanin, çdo përpjekje për të zgjedhur një kryetar ka qenë më shumë formalitet sesa sfidë reale politike.
E gjithë kjo do të mund të ndryshonte nëse Sali Berisha do të merrte vendimin më të vështirë, por ndoshta më të shëndetshëm për të ardhmen e partisë: të dorëhiqej nga posti i kryetarit dhe të hapte rrugë për një garë të lirë dhe të hapur, pa ndikim personal dhe pa kandidatë të përzgjedhur në tavolina të mbyllura.
Imagjinoni për një moment një garë me disa figura që përfaqësojnë nuanca të ndryshme brenda spektrit të djathtë: Bujar Leskaj me profilin e tij institucional ekonomik, Belind Këlliçi me një qasje më popullore dhe të rinore, Jorida Tabaku me kredenciale në fushën ekonomike dhe politike europiane, Gent Strazimiri si përfaqësues i vijës më konservatore, Oerd Bylykbashi me përvojën e tij kushtetuese, Tomor Alizoti me një diskurs intelektual shpesh herë ndryshe nga establishmenti i partisë, dhe pse jo, edhe Albana Vokshi apo Ilir Alimehmeti që përfaqësojnë një pjesë tjetër të elektoratit.
Një garë mes 5 deri në 10 kandidatë do të ishte për herë të parë një moment i vërtetë reflektimi, diskutimi dhe seleksionimi natyral të udhëheqësit të ardhshëm të PD-së. Kjo nuk do të ishte vetëm një proces formal, por një ushtrim real i demokracisë, ku baza do të ndjehej pjesëmarrëse, jo thjesht dekorative. Kjo lloj gare do të krijonte mundësinë e një riformatimi të PD-së, jo thjesht në emra, por në mënyrën si kjo forcë politike koncepton të ardhmen, përballjen me qeverinë, marrëdhënien me ndërkombëtarët dhe, mbi të gjitha, mënyrën se si ndërtohet besimi i qytetarëve tek opozita. Por për të ndodhur kjo, duhet një gjest madhor: tërheqja e Sali Berishës nga drejtimi i partisë. Jo si një akt dobësie, por si një hap për të shëruar një trup politik të lodhur dhe të ngarkuar me konflikte të brendshme, mungesë legjitimiteti dhe përjashtim të vazhdueshëm të zërave kritikë. Dorëheqja e tij nuk do të ishte një fund i protagonizmit politik, por një kalim në një rol më të si udhëheqës moral, këshilltar dhe figurë që vendos interesin e së djathtës përpara interesit personal.
Megjithatë, kjo është një ëndërr që duket e largët. Pas ndarjes me Bashën dhe ndarjes përfundimtare të partisë në dy kampe, Berisha ka konsoliduar kontrollin e plotë mbi strukturat e PD-së. Çdo përpjekje për ta sfiduar, qoftë edhe me idenë më modeste për një garë reale, përballet me mur dhe stigmatizim të menjëhershëm.
Ndaj, kjo nuk është një thirrje naive, por një reflektim i dhimbshëm për një mundësi që nuk do të ndodhë. Partia Demokratike, në formën aktuale, është kthyer në një organizatë të personalizuar, ku çdo debat për drejtim apo ndryshim shihet si akt armiqësor.
Në këto kushte, edhe më besnikët e kësaj force politike, ndihen të përjashtuar dhe të dorëzuar. E gjithë kjo çon, për fat të keq, në një skenar të njohur: rrudhje elektorale, izolim ndërkombëtar, mungesë aleancash, dhe një ndarje gjithnjë e më e thellë me shoqërinë. E njëjta rrugë që ndoqi LSI-ja pas rënies së Ilir Metës si figurë bashkuese, dhe që e ka çuar atë forcë drejt një margjinalizimi të parikuperueshëm. Partia Demokratike ka ende kapital njerëzor dhe politik për t’u ringritur. Por kjo nuk mund të ndodhë me një drejtim të përjetshëm dhe me një sistem që favorizon pasardhës të zgjedhur, jo të përzgjedhur.
Megjithatë, kjo është një këshillë për veshë të shurdhër. Sepse PD nuk është më një parti, por një pronë e Berishës. Dhe pas ndarjes me Bashën, ky kontroll është bërë edhe më i fortë. Ai nuk do të largohet. Përkundrazi, do të forcojë edhe më shumë kontrollin mbi çdo qelizë të partisë. Dhe për këtë arsye, me gjithë dhimbjen, PD-ja ka nisur të ndjekë një trajektore të njohur rënëse. Ashtu si LSI, ajo po zvogëlohet, po humbet frymën opozitare dhe po largohet nga shpresa për ndryshim. Një fund i paralajmëruar që mund të shmangej po të kishte guxim.