Ishte një “vend i tmerrshëm dhe i zymtë që kishte një erë të padurueshme”, tregoi ushtari i parë britanik që hyri në bunker-in e Adolf Hitlerit në Berlin.
Zymtësia dhe era e rëndë nuk ishin aspak surprizë, duke marrë parasysh tmerrin që kishte ndodhur aty vetëm pak javë më parë.
Më 30 prill 1945, saktësisht 80 vjet më parë, Hitleri 56-vjeçar dhe partnerja e tij, Eva Braun 33-vjeçare, pasi u martuan një ditë më parë, vendosën të kryejnë vetëvrasje në fshehtësi, ndërsa trupat sovjetike luftonin vetëm disa metra më lart në sipërfaqe.
Hitleri qëlloi veten në kokë, ndërsa Braun përpiu një kapsulë cianuri. Trupat e tyre u nxorën në kopshtin e Kancelarisë së Rajhut, u dogjën me benzinë dhe u varrosën në mënyrë të shpejtë.
Ishin trupat ruse që i gjetën mbetjet, një fakt që ndezi dekada me teori konspirative për “mbijetesën” e Hitlerit — teori që vazhdojnë edhe sot.
Interpretuesi britanik në bunkerin e Hitlerit
Në korrik 1945, sovjetikët lejuan që ushtari i parë britanik të hynte në bunker: Hugh Lunghi, interpretues për Winston Churchill dhe më pas për kryeministrin e ri Clement Attlee, gjatë Konferencës së Potsdamit.
Vite më vonë, Lunghi rrëfeu se pa një “grumbull hiri dhe një grumbull objektesh”, për të cilat një oficer rus i tha: “Janë Hitleri dhe e dashura e tij”.
Ai u lejua të eksploronte bunker-in dhe të merrte një suvenir. Lunghi zgjodhi një vëllim të enciklopedisë Brockhaus, që ndodhej në bibliotekën e Hitlerit.
Hitleri ishte futur në bunker në janar të vitit 1945, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po shkonte drejt disfatës për Gjermaninë. Aty, ai vazhdoi të komandonte forcat e tij dhe të mohonte realitetin.
Nga fillimi i prillit, 2.5 milionë ushtarë rusë kishin hyrë në Berlin. Më 28-29 prill, Hitleri diktoi testamentin e tij dhe u martua me Braun. Në atë natë, oficerët e SS dogjën dokumentet personale të Hitlerit.

“E ndjeva që po preknim historinë”
Në një intervistë të vitit 2005, Lunghi kujtoi: “Ishte lagështirë dhe ndotje. Rrobat ishin të shpërndara. Një vend i neveritshëm. Por ndjehej se ishe brenda historisë”.
Ai përshkroi një dhomë mjekësore me shishe qelqi dhe një dhomë tjetër që i ngjante një studioje me libra, përfshirë enciklopedinë Brockhaus. “Mora një vëllim dhe pyeta: ‘A mund ta marr?’ – Më thanë: ‘Po, patjetër’.”
Lunghi, i cili vdiq në vitin 2014 në moshën 93-vjeçare, mori gjithashtu një copë të tavolinës prej mermeri të Hitlerit dhe një dosje me dokumente nga një panair tregtar i vitit 1937.
Çfarë ndodhi me trupin e Hitlerit
Pas vetëvrasjes, trupat e Hitlerit dhe Braun-it u dogjën me benzinë, por vetëm pjesërisht u asgjësuan. Trupat sovjetike bënë një autopsi që u mbajt e fshehtë për dekada.
Churchill vetë vizitoi rrënojat e bunker-it gjatë Konferencës së Potsdamit. Madje u fotografua në një karrige të bunker-it, pranë vendit ku ishte vetëvrarë Hitleri.
Por Josef Stalini i dha shtysë teorive konspirative, duke pretenduar se Hitleri kishte shpëtuar. Sipas këtyre teorive, ai kishte ikur në Argjentinë dhe jetoi atje fshehur për vite me radhë.

Shkenca kundër konspiracioneve
Historiani britanik Luke Daly-Groves, në librin e tij të vitit 2019 Hitler’s Death: The Case Against Conspiracy, përgënjeshtron të gjitha këto teori. Ai përmend:
- Mbetjet që rusët gjetën përputheshin me moshën dhe përshkrimin e Hitlerit dhe Braun-it.
- Rekordet dentare dhe rrezet X përputheshin me dhëmbët dhe nofullën e djegur të Hitlerit.
- Raportet për “shfaqjet” e Hitlerit u analizuan dhe rezultuan false.
Në vitin 1945, historiani britanik Hugh Trevor-Roper, i cili ishte oficer inteligjence, intervistoi dëshmitarë që ishin në bunker: të gjithë konfirmuan vetëvrasjen e çiftit.
Roja Hermann Karnau pohoi se i kishte parë trupat duke u djegur pranë daljes së bunker-it.
Gjermania mbyll kapitullin
Në një libër të fundit, profesori gjerman Klaus Püschel deklaron me siguri: “S’ka më asnjë dyshim. Hitleri përpiu cianid dhe më pas qëlloi veten në tëmth me një armë Walther PPK”.
Në librin “Der Tod geht über Leichen” (Vdekja ecën mbi kufoma), ai përshkruan se si regjistrat dentarë përputhen me kafkën e djegur të Hitlerit.
KGB i mbajti fshehur mbetjet e Hitlerit për dekada. Më 5 prill 1970, ato u dogjën përfundimisht dhe hiri u hodh në një lumë në qytetin Magdeburg të Gjermanisë Lindore.
