Nga Maksi Cami
Nëse shqiptarët janë lodhur nga gjithçka, janë lodhur më shumë se kurrë nga fjala “ndryshim”. E kanë dëgjuar, shpresuar dhe, për fat të keq, nuk e kanë përjetuar. Sot, pas zgjedhjeve te 11 majit 2025, e vetmja shpresë që ngjall pak interes është prania e partive të reja në parlament. Por çfarë duhet të presim realisht prej tyre? A janë këto forca alternativa të vërteta, apo thjesht episode të reja në telenovelën e gjatë të tranzicionit?
Për herë të parë, një karrige vlen më shumë se një grup parlamentar. Në këtë parlament të ri, një paradoks i madh është bërë i qartë: një deputet i vetëm nga një parti e re, me kauzë dhe zë të artikuluar, vlen më shumë se 10 deputetë të Partisë Demokratike apo 20 deputetë anonimë të Partisë Socialiste, që për katër vite do të rrinë në heshtje, pa folur asnjëherë nga foltorja e kuvendit. Këto janë ushtarë të thjeshtë të urdhrave partiakë, të futur në listë për të plotësuar kuota dhe për të votuar pa bërë zë.
Në këtë vakum, deputetët e partive të reja kanë potencialin të bëhen jo vetëm zëra të rëndësishëm, por edhe pika graviteti për opinionin publik. Kjo nuk është një mbivlerësim i pamerituar është një analizë e ftohtë e mënyrës se si është ndërtuar ky parlament: pa opozitë funksionale dhe me një mazhorancë të stërzgjatur në pushtet që ka harruar çdo ndjeshmëri ndaj llogaridhënies.
Nuk pritet asgjë e re nga Partia Socialdemokrate (PSD), sikurse mandatin e kaluar. Jo sepse paragjykohet, por sepse është testuar dhe ka dështuar të ofrojë politika publike opozitë apo alternativë. Katër vite me tre mandate në parlament, pa një iniciativë ligjore, pa një debat serioz, pa një qëndrim të distancuar nga mazhoranca. PSD ka qenë më afër një fraksioni satelitor të PS-së, sesa një forcë opozitare e re. Ajo që e bën më shqetësues këtë fakt është se lideri i saj, Tom Doshi, nuk ka shfaqur as dëshirën për të ndërtuar një identitet të diferencuar politik. Socialdemokratët e Doshit thjesht janë ulur në tri karrige që nuk ua kanë vjedhur askujt, por as nuk ua kanë kthyer qytetarëve.
Partia “Mundësia”, që do të ketë dy përfaqësues në parlament, është ndoshta e vetmja që pretendon hapur se përfaqëson një të djathtë reale, jo vetëm në emër, por në filozofi politike. Pro biznesit të vogël e të mesëm, mbrojtëse e lirisë së tregut dhe e një patriotizmi modern, ajo ka të gjitha arsyet për të qenë e vëmendshme ndaj atyre që janë të zhgënjyer nga PD-ja, por që nuk kanë kaluar në kampin e majtë. Presioni mbi këtë forcë është i madh: dy deputetët e saj Shehaj dhe Kapri nuk mund të jenë thjesht kritikë, por duhet të ofrojnë projektligje, politika konkrete dhe të ndërtojnë një vizion qeverisës të opozitës së re. Jo vetëm të reagojnë ndaj së keqes, por të formulojnë zgjidhjen.
Adriatik Lapaj dhe Lëvizja “Shqipëria Bëhet” janë ndër më të zhurmshmit dhe më të ndjekurit në skenën e re politike. Ajo që presim prej tyre është e dyfishtë: nga njëra anë, denoncime të forta, të dokumentuara dhe të vazhdueshme, që t’i japin publikut të vërtetën për korrupsionin dhe kapjen e shtetit; por nga ana tjetër, ka një frikë reale që kjo forcë mund të rrëshqasë në populizëm dhe retorikë alarmistë vetëm për vëmendje. Lapaj nuk do të jetë në parlament, sikurse ka deklaruar, por si kryetar i partisë që vetë e themeloi, ka nevojë të vendosë qartë ku qëndron ideologjikisht. Nuk mjafton të bësh zhurmë për të pasurit në pushtet apo për hallexhinjtë në rrugë. Opozita reale është ideologjike, ka vija të kuqe, nuk është thjesht reaktive. Nëse “Shqipëria Bëhet” nuk arrin të tregojë se për çfarë qëndron, rrezikon të jetë një ‘Vetëvendosje’ pa strukturë dhe pa fitore.
Partia “Bashkë” ka hyrë në parlament me një deputet të vetëm, që me shumë gjasë do të jetë Arlind Qori. Kjo është një forcë që nuk e fsheh dot orientimin marksist dhe qëllimin për të përfaqësuar grupe, të papërfaqësuara nga partitë tradicionale. Por tani që nuk janë më në mitingje apo protesta, por në foltoren e Kuvendit kërkesa minimale është të mos e kthejnë politikën parlamentare në teatër proteste ekstreme. Shembulli që përndjek të gjithë është Vetëvendosja në fillimet e veta: bllokime të Kuvendit, flakë tymuese, skena simbolike. Nëse “Bashkë” do të ndjekë të njëjtën rrugë, mund të fitojë disa klikime në rrjete, por jo respektin e një elektorati që kërkon drejtësi sociale me dinjitet, jo cirk ideologjik.
Në fund të fundit, të gjithë do testohen njësoj. Këto parti të reja nuk janë më jashtë sistemit. Janë brenda. Janë në tavolinën e vendimmarrjes. E kanë mikrofonin, e kanë rrogën, e kanë pushtetin e ligjvënësit. Nëse bëjnë vetëm zhurmë, do shuhen si meteorë. Nëse sjellin ide, projekte dhe përballje reale me qeverinë, do të kenë rastin të ndryshojnë realisht kursin e opozitës dhe të politikës shqiptare. Në të kundërt do kemi vetëm një vend që rrokulliset për inerci drejt një shoqërie të zbrazur nga shpresa.