Altin Dumani, drejtuesi i SPAK dhe simbol i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, është parë sot në një takim me Ilir Prodën — një emër i njohur për lidhje të errëta me botën e krimit dhe i përfolur për përfshirje në disa nga dosjet më të rënda penale të dekadës së fundit. Proda, i njohur në qarqet kriminale dhe shpesh i akuzuar si figurë e korruptuar, përfaqëson pikërisht atë realitet që drejtësia e re shqiptare synon të çrrënjosë. Takimi mes tyre ngre një pyetje alarmante: çfarë pune mund të ketë një i akuzuar si Proda me një drejtues të drejtësisë si Dumani?
Ja qajmë hallin Dumanit, i cili, për hir të detyrës, i duhet të bashkëpunojë dhe të ulet në një tryezë edhe me ata subjekte, të cilët ndërkohë ndoshta i ka në dorë me dosje që po ua kopsit, për t’i vënë shumë shpejt përpara drejtësisë për çështje të shumta: nga bastet e paligjshme, deri te trafikimi i drogës, por edhe te përdorimi i policisë për fushatë politike.
Është ironike që Proda të ulet në një tavolinë për problematikat zgjedhore, kur policia e tij po përdoret si mish për top në zgjedhje – si nga vetë ministri Hoxha, ashtu edhe drejtpërdrejt nga vetë Proda.
Qëllimi i takimit ishte rritja e koordinimit ndërinstitucional në funksion të garantimit të integritetit të zgjedhjeve dhe forcimit të mekanizmave për parandalimin dhe ndëshkimin e çdo forme shkeljeje të ligjit zgjedhor.
Në fokus të diskutimeve ishin masat e përbashkëta që institucionet po ndërmarrin për të garantuar një proces zgjedhor të qetë, të sigurt dhe të besueshëm në të gjitha fazat e tij. Pjesëmarrësit ndanë informacion mbi masat konkrete organizative dhe operacionale të vendosura në funksion të parandalimit të incidenteve, presioneve apo përpjekjeve për të ndikuar paligjshëm në vullnetin e zgjedhësve.
Një temë me rëndësi të veçantë ishte adresimi i shkeljeve të mundshme të ligjit zgjedhor dhe trajtimi i tyre nga organet përkatëse të drejtësisë. Gjatë takimit u prezantuan të dhëna mbi numrin e kallëzimeve të bëra deri tani në lidhje me veprime apo mosveprime që bien ndesh me Kodin Zgjedhor. U theksua rëndësia e reagimit në kohë të institucioneve përkatëse – prokurorive dhe policisë – për të hetuar çdo shkelje që mund të minojë integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në të.
Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe procesi i votimit nga jashtë vendit, një komponent i ri dhe sfidues i këtyre zgjedhjeve. U diskutua mbi përgatitjet institucionale, logjistikën, sigurinë e dërgesave postare dhe garantimin e të drejtës së votës për qytetarët shqiptarë që ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Krerët e institucioneve vizituan edhe Qendrën Operacionale të Kundër Krimeve Zgjedhore në KQZ ku janë atashuar përfaqësues nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme. Koordinimi i strukturave dëshmon qartësisht përkushtimin e institucioneve shtetërore në ruajtjen e standardeve demokratike të zgjedhjeve dhe garantimin e të drejtës së votës për çdo qytetar, brenda dhe jashtë vendit.







