Situata në Lindjen e Mesme ka shpërthyer në një përshkallëzim të paprecedentë këtë të premte, pasi Irani ka nisur kundërsulmet ndaj Izraelit duke lëshuar qindra raketa balistike, sipas mediave shtetërore iraniane. Sulmet vijnë si përgjigje ndaj një vale goditjesh ajrore të ndërmarra më herët nga Izraeli, të cilat kishin në shënjestër programin bërthamor dhe udhëheqës ushtarakë të Iranit.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), dhjetëra raketa të tjera janë lëshuar në drejtim të Izraelit, duke shënuar një valë të dytë sulmesh në pak orë. Në Tel Aviv dhe Jerusalem janë dëgjuar shpërthime të fuqishme, ndërsa tymi është parë të ngrihet mbi qytetet. Sistemi i mbrojtjes ajrore “Iron Dome” është aktivizuar për të ndaluar raketat që i kanë shpëtuar parandalimit në ajër. Deri më tani, sipas policisë izraelite, nuk raportohet për viktima, por disa objekte kanë pësuar dëme materiale.
Më herët gjatë ditës, Izraeli kreu një sulm të paprecedentë mbi territorin iranian, duke vrarë dy figura kyçe të strukturave ushtarake të Teheranit: Gjeneral Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare, dhe gjeneral major Mohammad Bagheri, oficeri më i lartë ushtarak në Iran.
Në një deklaratë të fortë, Ministri i Jashtëm i Iranit paralajmëroi se Izraeli “do të pendohet thellë” për veprimet e tij. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në një deklaratë për CNN, u shpreh se SHBA mbështet “natyrisht” Izraelin dhe i bëri thirrje Iranit që të pranojë një marrëveshje bërthamore “përpara se të mos mbetet më asgjë”.
Agjencia zyrtare iraniane IRNA ka pretenduar gjithashtu se dy avionë luftarakë izraelitë janë rrëzuar brenda hapësirës ajrore të Iranit, megjithatë kjo nuk është konfirmuar nga IDF dhe CNN nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur.