Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, u pa sot, në një ditë dhe orar zyrtar pune, në një KZAZ ku po numëroheshin votat e partive politike.
Ministri paguhet nga taksat e qytetarëve për t’u garantuar atyre rendin dhe sigurinë, ai nuk paguhet as si vëzhgues dhe as si numërues votash.
E megjithatë ai kishte braktisur zyrën dhe institucionin gjatë orarit zyrtar.
Ministri nuk ndoidhej në kolltukun komod të blerë me një tender super të shtrenjtë, për të firmosur urdhëra që do të dërrmojnë bandat e trafiqeve të drogës, as arrestimin e zyrtarëve të korruptuar, as krimin ordiner.
Sepse ndërkohë ai ndodhej në një mjedis partiak, për t’i shërbyer si militant dhe servil partisë-shtet që e ka emëruar në atë detyrë si një ushtar të rëndomte dhe jo një funksionar serioz që i shërben ligjit dhe shtetit.
Nëse shpesh ngrihet pyetja se përse nuk gëzon një respekt të madh policia e shtetit, përgjigjen direkte e dha ministri sot: sepse ajo përbëhet jo nga nëpunës apo profesionistë, por nga dështakë dhe servilë të nënshtruar, puthadorë të gatshëm t’i thonë vetëm “po” kryetarit të partisë, militantë të niveleve më të rëndomta.