FLASH :

Cassie reagon pas vendimit për Diddy: “E besojmë dhe e mbështesim plotësisht” – avokati: Do vazhdojmë të luftojmë për viktimat

Pas shpalljes së vendimit nga trupa gjykuese më 2 korrik, ku Sean “Diddy” Combs u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikimit seksual ndaj ish-të dashurës së tij Cassie Ventura, këngëtarja ka reaguar përmes ekipit të saj ligjor.

Avokati i saj, Douglas H. Wigdor, deklaroi për Us Weekly se megjithëse Diddy nuk u shpall fajtor për rastin e Cassie-s “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, padia e saj ishte thelbësore për të nisur këtë proces dhe për të ekspozuar një realitet të errët.

“Duke ndarë përvojën e saj me publikun, Cassie ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në industrinë muzikore dhe në betejën për drejtësi,” tha Wigdor. “E besojmë dhe e mbështesim plotësisht. Ajo tregoi kurajo të jashtëzakonshme përballë pushtetit dhe abuzimit.”

Ai shtoi se ekipi do të vijojë të punojë në emër të të mbijetuarve të abuzimeve dhe trafikimit seksual, duke ritheksuar se ky nuk është fundi i përballjes me drejtësinë.

Diddy u shpall i pafajshëm për rastin e Cassie Ventura dhe një tjetër gruaje të identifikuar si “Jane Doe”, por u shpall fajtor për dy raste të tjera trafikimi me qëllim prostitucionin. Për secilin rast, ai përballet me deri në 10 vite burg dhe prokuroria ka kërkuar që dënimi të jetë i njëpasnjëshëm – që do të thotë deri në 20 vite heqje lirie.

Cassie Ventura kishte ngritur padi civile ndaj Combs në nëntor 2023 dhe dëshmoi në gjyq gjatë muajit maj, ku rrëfeu raste të shumta abuzimi fizik dhe seksual. Pavarësisht vendimit për të, deklaratat e saj lanë jehonë të madhe në publik dhe shtyp, duke nxitur reagim të gjerë kundër abuzimit të pushtetit në industrinë e muzikës.