FLASH :

Çantë me lëkurë dinozauri? Shkenca do ta bëjë të mundur!                

Zakonisht moda sjell trende të reja apo inspirohet nga dekadat e kaluara. Por këtë herë, kthimi pas do të jetë më i madh se ç’jemi mësuar pasi bëhet fjalë për 70 milionë vjet.

Një kompani synon të krijojë lëkurën e parë të prodhuar nga Tiranozaur Reksi që do të përftohet prej  ADN-së së bishës prehistorike.

Kjo do të thotë se në të ardhmen mund të mbajmë çanta me lëkurë dinozauri, të veshim një xhaketë me lëkurën e tij apo sediljet e makinës.

Shkencëtarët do të shkrijnë inovacionin dhe inxhinierinë gjenetike për të prodhuar materiale luksi nga speciet e lashta.

Lëkura do të krijohet duke nxjerrë një fragment kolagjeni nga një fosil dinozauri i gjetur në Montana në vitin 1988. Asokohe ishte një nga fosilet më të plota dhe ruante edhe proteina gjaku.

Pasi të sigurohen se ngjan gjenetikisht me paraardhësit, shkencëtarët do ta integrojnë te qelizat e lëkurës të krijuar në laborator dhe do ta rrisin. Kjo do të prodhojë shumë kolagjen e cila më pas do të kthehet në lëkurë Tiranozauri.

The Organoid Company është shprehur se mund të përdoret gjenoma dhe prodhimi i proteinave për të krijuar lëndë të reja. Sipas ekipit shkencor, kjo teknologji do të reduktojë ndikimin e këtij procesi në  mejdis.

Prodhimi i lëkurës lidhet me shpyllëzimin masiv, ndërsa ngjyrosja e saj përfshin kimikatet e dëmshme që shkaktojnë ndotje. Ky zhvillim i ri do të eliminojë edhe mizorinë ndaj kafshëve, një tjetër problem që sjell prodhimi tradicional i lëkurës.