FLASH :

“Çantat e zeza” të Lendi Palajt: Si bastet ‘333’ dhe ‘CR7’ po financojnë blerjen e votës

Gazeta Oamfleti shkruan:

Lendi Palaj, 26-vjeçari që komandon markën ilegale “CR7”, qarkullon miliona euro bastesh për bosët Doshi-Babasi. Çantat me cash  kalojnë çdo muaj tek shefat, ndërsa “të fortët” mbledhin borxhet me komision…

Emri i Lendi Palajt, 26-vjeçarit që po menaxhon në heshtje rrjetin e basteve ilegale në Tiranë, mund të mos jetë i njohur për publikun e gjerë, por për autoritetet dhe qarqet kriminale është tashmë një identitet që lidhet drejtpërdrejt me operacione të mëdha financiare në botën e nëndheshme.

Burime konfidenciale për “Pamfleti” raportojne se Palaj filloi rrugëtimin e tij të errët si një menaxher modest në shërbim të bosëve Doshi- Babasi. Ai fillimisht ishte përgjegjës për menaxhimin e basteve në disa pika të vogla dhe përdorues të thjeshtë, por në një periudhë të shkurtër kohore, suksesi i tij në qarkullimin e shumave të mëdha të parave tërhoqi vëmendjen e bosëve.

Lendi Palaj provoi aftësitë e tij duke krijuar një rrjedhë të qëndrueshme të ardhurash, duke fituar kështu besimin e plotë të Doshi-Babasit. Fati dukej se i kishte buzëqeshur dhe brenda pak muajsh, ai mori nën kontroll disa pika kyçe bastesh në kryeqytet. Megjithatë, ironia qëndronte pikërisht te fakti se ky “sukses” e mbajti atë peng të bosëve, të cilët nuk kishin ndërmend ta linin të largohej kaq lehtë nga kontrolli i tyre.

Edhe pse Palaj tentoi disa herë të shkëputej nga Doshi dhe Babasi për të ndërtuar rrugën e tij, tentativa e tij dështoi pasi shefat e tij nuk donin të humbisnin një menaxher kaq efektiv. Në këto kushte, ai vendosi të krijojë një linjë tjetër bastesh me emrin “CR7”, që do të ishte më e kontrolluar nga vetë ai, ndryshe nga linja “333”, e cila ishte e lidhur ngushtë me Doshi-Babasin.

Burime nga shërbimet inteligjente raportojnë se çdo muaj, Palaj lëviz çanta të zeza me para tek bosët e tij si pjesë e marrëveshjes së heshtur. Për të mbajtur këtë sistem në funksion, ai ka krijuar një strukturë të qartë operative duke kontraktuar “të fortët e lagjes” për të mbledhur borxhet e lojtarëve. Këta persona shpërblehen me 20-30% të shumave që arrijnë të mbledhin.

Për të fshehur gjurmët, Palaj përdor platforma ilegale online bastesh, VPN të centralizuar dhe pagesa kesh ose në kriptovaluta, duke shmangur çdo kontroll nga autoritetet.

Ndërsa autoritetet vazhdojnë të heshtin, ky aktivitet kriminal financon në mënyrë indirekte blerjen e votave për Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit. Fondet e mbledhura nga rrjeti i basteve ilegale përdoren sistematikisht për të blerë vota në zona si Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës dhe Dibër. Skema e blerjes së votës realizohet nga koordinatorët lokalë të PSD‑së, të cilët përdorin fondet e siguruara nga grupi Doshi-Babasi për të paguar qytetarët në prag të zgjedhjeve. Çmimi për një votë varion nga 100 deri në 200 euro, në varësi të zonës elektorale.

“Pamfleti” vazhdon investigimin mbi këtë rrjet të strukturuar kriminal dhe kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të SPAK dhe BKH për të ndaluar këtë fenomen, që përveç pasurimit ilegal, po minon rëndë edhe zgjedhjet.

Në vijim- Implikimi i Policisë së Shtetit, kryesisht Komisariateve nr. 1, 2 dhe 4 të Tiranës, në listëpagesat e krye- menaxherit të basteve Lendi Palaj.