Australinë e ka përfshirë zemërimi pas publikimit të një videoje tronditëse ku një grup burrash shihen duke qeshur teksa torturojnë një kangur të pambrojtur. Pamjet, të publikuara fillimisht në rrjetin social Instagram, besohet të jenë regjistruar në Territorin Verior.
Në video, një nga burrat e ngrit kangurin nga krahët dhe ia përplas kokën me forcë pas mbajtëses së një makine Nissan Patrol të parkuar. Në një moment tjetër shqetësues, një prej tyre e godet me shkelm në kokë, ndërsa një tjetër qëndron mbi bishtin e kafshës.
Hetim zyrtar për aktin mizor ndaj kafshës – dënimet mund të shkojnë deri në 5 vite burg
Grupi “Australians Against Animal Abuse” ka raportuar videon pranë policisë dhe autoriteteve për mirëqenien e kafshëve. Videoja është fshirë nga Instagrami, por dëmi që shkaktoi ka qenë i thellë. “Shohim shumë pamje zemërthyese çdo ditë, por kjo ishte përtej çdo limiti – e vështirë për t’u përballuar pa ndjerë neveri,” u shpreh grupi në përshkrimin e postimit.


Dëmtimi i kafshëve është vepër penale në Territorin Verior të Australisë, me dënim maksimal deri në dy vite burg ose gjobë deri në 37,000 dollarë australianë. Në rastet e “mizorisë së rënduar”, ku kafsha vdes apo pëson lëndime të rënda, dënimi mund të arrijë deri në pesë vite burg ose një gjobë prej 92,500 dollarësh.
Zëdhënës i Departamentit të Bujqësisë dhe Peshkimit konfirmoi se dega e mirëqenies së kafshëve ka nisur hetim për rastin.
Ky incident është pjesë e një serie ngjarjesh të rënda të abuzimit ndaj kangurëve në Australi. Në një rast të ndarë, Michael Holmes nga NSW u akuzua për mizori të rënduar pasi dyshohet se tërhoqi një kangur të gjallë pas makinës për 400 metra. Në një tjetër rast në Viktoria, një 64-vjeçar u gjobit me 80,000 dollarë pasi u shpall fajtor për vrasjen mizore të 71 kangurëve në pronën e tij.
Autoritetet lokale pritet të ndëshkojnë rëndë përgjegjësit, ndërsa shoqëria civile kërkon dënime shembullore për të ndalur valën e dhunës ndaj kafshëve në vend.