FLASH :

Burgu i Spaçit në rrezik nga Blendi Gonxhe/ Sa herë mund të goditet një monument?

I ndërtuar në vitin 1968, në një zonë të thellë malore të Shqipërisë verilindore, Spaçi përfaqëson një nga hapësirat më të rëndësishme të kujtesës kolektive lidhur me represionin politik gjatë regjimit komunist. Si një vend-burg i sigurisë së lartë për të dënuarit politikë, Spaçi është i ngarkuar me një vlerë simbolike të veçantë, e cila shkon përtej funksionit të tij të dikurshëm ndëshkues: ai është dëshmi historike, memorial i qëndresës dhe një pikë e domosdoshme reflektimi për shoqërinë shqiptare post-totalitare.


Burgu i Spaçit është një nga ato vende ku çdo tullë flet për vuajtje, qëndresë dhe dinjitet. Ai nuk është thjesht një objekt ndërtimi i vjetër në një mal të thellë të Shqipërisë; ai është një nga ndërgjegjet tona më të gjalla historike. Por sa herë mund të goditet kjo ndërgjegje, dhe sa herë mund të goditet një monument?
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit doli së fundmi në mediat sociale bashkë me drejtorë të rinjë e të vjetër të IKTK për të deklaruar se ndërhyrja e fundit në Spaç nuk ishte një dëmtim, por një “konsolidim”. Një fjalë e butë për një veprim të ashpër. Në fakt, çfarë ndodhi ishte larg nga kujdesi që meriton një vend i tillë: muret u mbuluan me suva të re, pastaj u “pluhurosën” dhe u dëmtuan sërish për t’i dhënë pamjen e vjetër. Si një maskë e hequr dhe vënë përsëri, por këtë herë pa shpirt.


Sipas Kartës së Venecias (1964), dokument themelor për restaurimin e monumenteve, çdo ndërhyrje duhet të ketë për qëllim ruajtjen e autenticitetit historik dhe arkitektonik të monumentit. Në rastin e Spaçit, autenticiteti nuk qëndron në formën arkitektonike të tij, por në gjurmët që kanë lënë mbi të koha dhe përdorimi si hapësirë represive. Çdo akt suvatimi, rilyerje apo rindërtimi përbën një fshirje të dëshmisë – një manipulim i kujtesës materiale, që rrjedhimisht ndikon edhe në përmbajtjen përkujtimore dhe edukative të sitit.


Për më tepër, Shoqata Ndërkombëtare për Ruajtjen dhe Restaurimin e Monumenteve (ICOMOS) thekson se ndërhyrjet në vendet e kujtesës duhet të jenë minimale, të kthyeshme dhe transparente. Raste të ngjashme në Europën Lindore, përfshirë kampet e internimit në Çeki, Poloni apo Gjermani Lindore, demonstrojnë qasje të kujdesshme që synojnë ruajtjen e gjendjes faktike me ndërhyrje të kufizuara, të udhëhequra nga parimi i “mosdëmtimit”.


Kjo nuk është hera e parë që Spaçi preket në mënyrë të pavetëdijshme. Që nga rënia e diktaturës, ai është lënë në harresë, pastaj për pak u bë destinacion i spektakleve politike, për të përfunduar sërish në qetësi. Çdo “ndërhyrje” që nuk mbart me vete etikën e kujtesës është një goditje e re ndaj atyre që vuajtën aty, ndaj të vërtetës historike dhe ndaj brezat që kërkojnë të mësojnë prej saj.
Restaurimi nuk është zbukurim. As rivendosje sipërfaqësore. Një vend si Spaçi nuk kërkon të duket i ri, por të ruajë gjurmën e së vërtetës, pa filtra, pa grimozë. Ai duhet të qëndrojë i vjetër, i plasaritur, por autentik – ashtu si kujtimet që mbart. A mund të imagjinojmë një Auschwitz të suvatuar, të rimodeluar sipas shijes së ditës?


Një monument nuk goditet vetëm me buldozer. Ai goditet edhe me moskuptim. Me neglizhencë. Me fjalë të bukura që fshehin veprime të dëmshme. Dhe kur këto veprime vijnë nga vetë institucionet që kanë për detyrë ta ruajnë, atëherë kemi të bëjmë me një goditje të dyfishtë: fizike dhe morale.
Prandaj, pyetja që duhet të ngremë sot nuk është vetëm se çfarë po ndodh me Spaçin, por pse lejohet të ndodhë. Dhe më tej akoma: kur do të mësojmë të trajtojmë kujtesën tonë kolektive me dinjitetin që meriton? Spaçi nuk ka nevojë për grim. Ka nevojë për respekt