FLASH :

Bukuria që rrezikon jetën! Misioni ndërkombëtar i shkencëtarëve për të shpëtuar kërmijtë nga zhdukja

Një grup studiuesish nga Universiteti i Nottinghamit në Britaninë e Madhe dhe Universiteti i Oriente në Kubë kanë nisur një bashkëpunim ndërkombëtar për të shpëtuar kërmij shumëngjyrësh Polymita, të cilët konsiderohen ndër më të bukurit në botë dhe janë të rrezikuar nga zhdukja.

Polymita jetojnë vetëm në pyjet e lindjes së Kubës dhe janë të njohur për guaskat e tyre me ngjyra të ndezura dhe modele të rralla. Por, kjo bukuri i ka kthyer në objekt dëshire për koleksionistët, duke i bërë viktima të tregtisë ilegale të guaskave. Specia më e rrezikuar është Polymita sulphurosa, me ngjyrë jeshile limoni dhe vija flakë portokalli dhe blu.

Përkundër ndalimeve ndërkombëtare, guaskat e Polymita-s vazhdojnë të tregtohen online si objekte dekorative, ndërsa presionet nga ndryshimet klimatike dhe shkatërrimi i habitatit po e përkeqësojnë edhe më shumë situatën.

Për të parandaluar zhdukjen, kërmilla të rrallë po rriten në mjedise të kontrolluara në shtëpinë e biologut kuban Prof. Bernardo Reyes-Tur, ndërsa në laboratorët në Britani, ekipi i Prof. Angus Davison po analizon material gjenetik për të zbuluar sekretet e tyre biologjike si u zhvilluan ngjyrat e tyre unike dhe si lidhen mes vete gjashtë speciet e njohura.

Qëllimi i projektit është të kontribuojë në ruajtjen e këtyre specieve të veçanta përpara se të zhduken nga natyra. “Kuba lindore është i vetmi vend në botë ku jetojnë këta kërmij. Shpresojmë që shkenca dhe dashuria për natyrën të bashkohen për t’i shpëtuar,” tha Prof. Davison.