Banka e Shqipërisë ka vendosur masa kufizuese ndaj Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA), duke i ndaluar dhënien e kredive të reja veçanërisht ato për pasuri të paluajtshme deri në përmbushjen e detyrimit për të rritur kapitalin rregullator dhe përmirësimin e treguesve financiarë.
Sipas të dhënave zyrtare, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për UBA-n ka rënë në 15.71% në fund të vitit 2023, nga 19.81% një vit më parë. Edhe pse ky nivel është mbi minimumin ligjor prej 12%, Banka e Shqipërisë aplikon një qasje konservatore, duke kërkuar rezerva më të larta për bankat që tregojnë luhatshmëri të vazhdueshme në treguesit financiarë.
UBA ka raportuar humbje të njëpasnjëshme për dy vite radhazi: 5.5 milionë euro në vitin 2022 dhe 6.2 milionë euro në vitin 2023. Këto humbje, së bashku me injektimet e diskutueshme të kapitalit nga aksionarët, kanë sjellë një situatë që ka kërkuar ndërhyrjen e autoritetit rregullator.
Pas një inspektimi të zhvilluar nga Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 2025, është vendosur që UBA të hyjë në plan të detyruar për rritjen e kapitalit, për të siguruar përputhje me kërkesat ligjore dhe për të garantuar stabilitetin e mëtejshëm të saj.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë është banka më e vogël në sistemin bankar shqiptar, me vetëm 1.1% të tregut dhe një total asetesh rreth 250 milionë euro. Pavarësisht përmasave të saj të vogla dhe ndikimit sistemik të papërfillshëm, autoritetet mbikëqyrëse kanë zgjedhur të veprojnë me kujdes të shtuar për të ruajtur integritetin dhe stabilitetin e sektorit bankar.
UBA zotërohet në masën 98% nga kompania e sigurimeve Eurosig dhe pjesa tjetër nga disa aksionerë të vegjël. Masat do të qëndrojnë në fuqi deri në përmbushjen e kushteve të vendosura nga Banka e Shqipërisë.

