Një moment tronditës është kapur në video, kur një britanik qëndronte ulur në një Lamborghini Aventador me vlerë 250 mijë paund në mes të trafikut në Barcelonë, dhe i grabitet ora luksoze në dorë me vlerë mbi 50 mijë euro.
Ngjarja ndodhi më 23 qershor, ndërsa Scott, një 33-vjeçar me origjinë nga Skocia dhe që jeton në Dubai, po merrte pjesë në garën e supermakinave “Modball Rally” në rrugët e Barcelonës. I ulur në makinën që kap shpejtësinë 0-100 km/h për vetëm 2.8 sekonda, ai nuk mundi të reagojë kur dy grabitës në një skuter elektrik iu afruan dhe njëri prej tyre ia rrëmbeu orën nga kyçi i dorës, përpara se të zhdukeshin me shpejtësi.
Partnerja e tij, Simone Mariella, një 28-vjeçare nga Gjermania, rrëfeu se menjëherë pas grabitjes, Scott kërkoi ndihmë nëpër dyqane e kafene përreth për pamje kamerash sigurie, por askush nuk pranoi t’i ndihmonte. “Fatmirësisht, një kalimtar kishte filmuar gjithçka,” tha ajo. Videoja u postua në TikTok dhe u bë virale, me afro 6 milionë shikime dhe mbi 5 mijë komente.


“E kemi postuar për të ushtruar presion ndaj policisë spanjolle dhe për të kërkuar ndihmë për identifikimin e autorëve, por deri tani nuk kemi marrë asnjë informacion,” shton Simone, e cila konfirmon se partneri i saj ka kontaktuar policinë tri herë përmes emaili, pa marrë përgjigje.
Pamjet e grabitjes kanë nxitur zemërim në rrjetet sociale. “Hajduti ishte më i shpejtë se Lamborghini,” komenton një përdorues. “Barcelona nuk është më vend i sigurt për askënd,” shkruan një tjetër. “Pas dhjetë vitesh që jetoj këtu, më grabitën javën e kaluar, më tërhoqën zinxhirin nga qafa në pak sekonda,” rrëfen një tjetër banor.
Një komentues tjetër shton me sarkazëm: “Të paktën nuk po vjedh nga njerëz që kanë uri.” Ndërkohë, kritikat ndaj autoriteteve lokale janë të shumta: “Barcelona është kthyer në një moçal të krimit, dhe autoritetet nuk bëjnë asgjë.”
Policia spanjolle është kontaktuar për koment, por nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare.







