Një valë e re turistësh nga Mbretëria e Bashkuar po përmbys hartën tradicionale të pushimeve në Mesdhe. Sipas një publikimi të gazetës prestigjioze The Guardian, britanikët po lënë pas destinacione si Malaga dhe Benidormi, duke zgjedhur vende më të lira dhe më pak të mbipopulluara, ku Shqipëria kryeson listën si “Kroacia e re”.
Vetëm gjatë vitit 2024, numri i turistëve britanikë që vizituan Shqipërinë u rrit me 61 për qind, një rekord historik që tregon orientimin e ri të pushuesve nga Britania. Ky trend është nxitur edhe nga rrjetet sociale, veçanërisht TikTok, ku dhjetëra influencerë promovojnë të ashtuquajturat “destination dupes” – destinacione që ofrojnë natyrë, plazhe dhe eksperienca të ngjashme me ato të vendeve të famshme, por me kosto shumë më të ulët.
“Pushimet janë bërë të shtrenjta, plazhet në Evropën Perëndimore janë plot me njerëz dhe stres. Shqipëria ofron gjithçka: det të pastër, ushqim të lirë dhe pa rradhë”, shprehet një blogere udhëtimesh me mijëra ndjekës në rrjetet sociale.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil në Britani, përveç Shqipërisë janë shtuar edhe udhëtimet drejt Malit të Zi dhe Bosnjës. Megjithatë, ajo që e veçon Shqipërinë është kombinimi i plazheve të paprekura, çmimeve të ulëta dhe mikpritjes së përshkruar si “të jashtëzakonshme” nga turistët.
Për vitin 2024, numri i turistëve nga Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut që vizituan Shqipërinë përllogaritet të jetë rreth 150 mijë, një rritje që reflekton ndryshimin e shijes dhe përparësive të pushuesve britanikë.
Me potencialin për t’u bërë një nga destinacionet kryesore të Mesdheut për pushime të zgjuara, Shqipëria po hyn me forcë në radarët e turizmit ndërkombëtar, jo më si një alternativë por si një zgjedhje e parë.