Qeveria britanike ka nisur përgatitjet e fshehta për një skenar ekstrem: një sulm ushtarak të drejtpërdrejtë nga Rusia ndaj territorit të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas një raportimi ekskluziv të The Telegraph, Zyra e Kabinetit po rishikon planin e mbrojtjes së brendshme të vendit, i cili është hartuar më shumë se 20 vite më parë dhe konsiderohet tashmë i papërshtatshëm për rreziqet e reja që paraqet lufta moderne.
Lëvizja vjen pas kërcënimeve të përsëritura nga Kremlini dhe pas rritjes së shqetësimeve në Whitehall për mungesën e përgatitjes së vendit si në aspektin ushtarak, ashtu edhe civil. Zyrtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se Britania “do të dilte e tejkaluar në fuqi zjarri” nëse përballej me një konflikt të plotë me Rusinë dhe aleatët e saj. Ish-ministri i Financave, Philip Hammond, ka deklaruar se vendi është “rëndëisht i dobësuar” dhe qytetarët janë krejtësisht të papërgatitur për një luftë të mundshme.
Plani i ri i sigurisë kombëtare pritet të përfshijë përgjigjen institucionale ndaj sulmeve me raketa, sulmeve kibernetike në shkallë të gjerë, sabotimeve satelitore, deri edhe skenarëve të përdorimit të armëve bërthamore. Dokumenti i klasifikuar, i cili po përpunohet nga Drejtoria e Qëndrueshmërisë pranë Zyrës së Kabinetit, parashikon edhe procedurat për evakuimin e Familjes Mbretërore, strehimin e Kryeministrit dhe kabinetit në bunkerë të sigurt si dhe mobilizimin e shërbimeve emergjente.
Simulime të kohëve të fundit të zhvilluara nga Forcat Ajrore mbretërore, në kuadër të programit “Gladiator”, treguan se mbrojtja ajrore britanike nuk është në gjendje të ndalojë të gjitha llojet e sulmeve ruse. Sipas Air Commodore Blythe Crawford, shumë nga raketat e simuluara në këtë “natë të parë lufte” depërtuan në territorin britanik – një skenar që ai e cilësoi si “jo një pamje e bukur”.
Zyrtarë të lartë konfirmojnë se “Libri i Luftës” – një dokument i fshehtë që përshkruan reagimin shtetëror ndaj një shpalljeje lufte – është duke u përditësuar për të përfshirë “realitetet e reja të luftës moderne”. Ky përditësim do të përfshijë gjithashtu udhëzime për rrjetin hekurudhor dhe rrugor, sistemin postar, gjykatat dhe komunikimet.
Ndërkohë, propaganda ruse ka kaluar në kërcënime të hapura. Në media shtetërore, figurat kryesore të regjimit të Putinit kanë kërkuar “gjak britanik”, duke akuzuar Londrën se ka dorëzuar eksplozivë për atentatin që vrau gjeneralin e lartë rus, Yaroslav Moskalik, në një makinë bombë pranë Moskës. Ekspertët e Kremlinit pretendojnë se “shërbimet sekrete britanike janë pas çdo sulmi terrorist në tokën ruse”.
Këto zhvillime sinjalizojnë një kthesë të rrezikshme në marrëdhëniet Londër–Moskë, ndërsa Britania përballet me sfidën e ringritjes së mbrojtjes së saj kombëtare përballë një kërcënimi gjithnjë e më të prekshëm.







