Një masë e re e National Trust për të ndaluar parkimin e autobuzave turistikë në njërën nga zonat më të vizituara natyrore të Britanisë ka rezultuar në efekte të kundërta, duke shkaktuar rrëmujë të madhe në trafik dhe shqetësime të rënda për banorët lokalë.
Muajin e kaluar, National Trust ndaloi të gjithë autobusat turistikë nga parkimi në zonën Birling Gap dhe Seven Sisters, për të frenuar dëmtimet nga 600,000 turistë që vizitojnë çdo vit shkëmbinjtë e bardhë ikonë të bregdetit jugor. Por ndalimi, sipas banorëve, ka sjellë më shumë probleme sesa zgjidhje.
Kaos në trafik dhe rrezik për jetën
Sipas raportimeve, drejtuesit e autobusëve vazhdojnë të vijnë në zonë, duke bllokuar rrugët e ngushta, ndaluar në mënyrë të rrezikshme buzë rrugës dhe zbarkuar pasagjerët direkt në mes të trafikut. Disa prej tyre parkojnë në shkurre dhe në anët e rrugës, duke penguar qarkullimin dhe hyrjen në shtëpitë e banorëve.
Banori 75-vjeçar Phil Myerson tha: “Vendimi për ndalimin e autobusëve ishte i vonuar, por ka dështuar plotësisht. Turistët tani po shkaktojnë më shumë dëme se më parë. Po shkelin mbi bimësinë, po ngjeshin shkurret, dhe në vapë, vendi është kthyer në një pluhurishtë.”
Ai shton se plani ishte mirë në parim, por “nuk ishte menduar deri në fund”. Ai kërkon që kompanitë e transportit të respektojnë zonat e përcaktuara për ndalesë dhe të mos rrezikojnë jetët.
Nga një perlë natyrore në skenë rrëmuje
Vizitat turistike në Birling Gap janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit nga 350,000 në vitin 2018 në 600,000 vitin e kaluar. Rritja lidhet edhe me popullaritetin e zonës në filma si Atonement, Harry Potter, apo në klipe muzikore të artistëve aziatikë si Jay Chou dhe në një reality show të aktorës koreane Seo Hyo-rim. Zonat janë kthyer në “detyrë për selfie” për turistët nga Azia Juglindore.
Banorët, megjithatë, kërkojnë zbatim më të rreptë të ndalimit. Jon Ledham, një vizitor i përhershëm, tha: “Drejtuesit e autobusëve po injorojnë rregullat e sigurisë duke zbarkuar njerëzit në rrugë apo në shkurre. Kjo duhet të ndalet është rrezik serioz.”
Ndërhyrja e National Trust dhe qëndrimi zyrtar
Zëdhënësi i National Trust deklaroi: “U bëjmë thirrje të gjithë vizitorëve të parkohen me përgjegjësi në Birling Gap dhe të marrin në konsideratë banorët lokalë dhe aksesin për shërbimet e emergjencës.”
Ai shtoi se operatorët e autobusëve inkurajohen të përdorin hapësirat e dedikuara për parkim në zona të afërta. “Kjo masë nuk është politikë kombëtare, por një përgjigje ndaj problemit specifik në Birling Gap dhe Seven Sisters.”
Ndërkohë, vizitorët me makina, motorë, minibusë apo transport publik janë ende të mirëpritur.
Dot Skeaping, 80 vjeç, ish-punonjëse e National Trust dhe banore e një prej katër shtëpive më pranë shkëmbinjve, tha: “Ky vend ka nevojë të shihet në formën e tij më të mirë. Autobusët janë të mëdhenj, vijnë në grupe të mëdha dhe prishin gjithë magjinë. Ky ndalim është i nevojshëm për të mbrojtur zonën.”

