Një ngjarje e pazakontë ka përfunduar në bankën e të akuzuarve në Teesside Crown Court, ku një 21-vjeçare transgjinore, Ciara Watkin, akuzohet për sulm seksual ndaj një burri pasi dyshohet se i ka fshehur identitetin e saj gjinor.
Sipas dëshmisë në gjykatë, burri kishte njohur Watkin përmes Snapchat-it dhe pas disa mesazhesh flirtuese, e vizitoi në shtëpinë e saj në Thornaby, North Yorkshire. Aty, sipas prokurorisë, Watkin kreu akte seksuale me të, duke e bërë të besonte se ishte grua. Ajo madje kishte pretenduar se ishte me perioda për të shmangur çdo kontakt poshtë belit.
Në një intervistë policore të luajtur në gjyq, viktima i tronditur u shpreh: “Gjithë kohës më la të kuptoja se ishte plotësisht femër. Kur më tha më vonë se ishte transgjinore, ndjeva sikur më mori burrërinë.”
Prokuroria tha se pas ngjarjes, Watkin e kontaktoi viktimën për t’i treguar “sekretin e madh”, duke i pranuar se ishte transgjinore dhe nuk kishte kryer operacion gjinie. Profili i saj në Snapchat përdorte një avatar femëror dhe nuk kishte pasur asnjë diskutim mbi seksualitetin apo identitetin gjinor.
Watkin ka mohuar akuzat dhe deklaron se marrëdhënia ishte me pëlqim reciprok. Ajo përballet me dy akuza për sulm seksual dhe një për sulm seksual me penetrim. Procesi gjyqësor vazhdon.