FLASH :

Britani/ Kapet ngarkesa me kokainë 96 milionë paund në një anije nga Panamaja, zbulimi i gjashti më i madh në historinë e vendit

Një sasi gjigante kokaine me peshë 2.4 ton dhe vlerë tregu rreth 96 milionë paund është sekuestruar në portin London Gateway në Thurrock, Essex. Lënda narkotike u zbulua nën kontejnerë të një anijeje që mbërriti nga Panamaja, si pjesë e një operacioni të udhëhequr nga inteligjenca britanike.

Zbulimi u bë falë bashkëpunimit të ngushtë me operatorët e portit, ku u kontrolluan dhe u zhvendosën 37 kontejnerë për të lokalizuar drogën. Autoritetet e përshkruajnë këtë si sekuestrimin e gjashtë më të madh të kokainës në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.

“Ky është një shembull i qartë i suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorimit të inteligjencës për të goditur rrjetet kriminale,” tha drejtori detar i Forcës Kufitare, Charlie Eastaugh. Ai shtoi se bandat e organizuara përdorin anijet kontejnerë si një nga format kryesore për të futur drogën e Klasit A në vend.

Ndërkohë, këtë fundjavë në një tjetër operacion në Portin Dover, u kapën 170 kg ketaminë, 4,000 pilula MDMA dhe 20 armë zjarri. Shoferi i kamionit, një 34-vjeçar nga Taxhikistani, u arrestua në vendngjarje.

Statistikat zyrtare tregojnë një rritje alarmante të përdorimit të kokainës në Britani, me një rritje prej 31% të vdekjeve nga kjo drogë mes viteve 2022 dhe 2023.