Adoleshentë rusë po përfshihen në ndërtimin e dronëve kamikazë të përdorur në luftën kundër Ukrainës, në një objekt që autoritetet në Moskë e quajnë “fabrika më e madhe e dronëve në botë”. Pamje të publikuara nga televizioni ushtarak Zvezda tregojnë nxënës të moshës 14 vjeç duke ndihmuar në montimin e dronëve Geran-2 në fabrikën e vendosur në Yelabuga.
Sipas burimeve zyrtare, të rinjtë ftohen të studiojnë teknologjinë e dronëve dhe të përfshihen në prodhim që herët, për të siguruar një brez të ri specialistësh të punësuar në industrinë e mbrojtjes pas përfundimit të studimeve. Iniciativa konsiderohet pjesë e strategjisë së Presidentit Vladimir Putin për të rritur ndjeshëm kapacitetet luftarake të Rusisë.
Dronët Geran-2, të modeluar sipas teknologjisë iraniane Shahed, kanë një rreze veprimi deri në 1,500 kilometra dhe përdoren gjerësisht nga Rusia në sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase. Çmimi për një njësi varion nga 20,000 deri në 50,000 dollarë. Drejtori i përgjithshëm i fabrikës, Timur Shagivaleyev, deklaroi se janë ndërtuar “dhjetëra mijëra” dronë, ndonëse pa specifikuar shifra të sakta prodhimi.
Objekti industrial, i ndodhur brenda Zonës Ekonomike Speciale “Alabuga”, përfshin gjithashtu një qendër testimi për dronët. Fabrika është përmendur edhe si një objektiv potencial nga forcat ukrainase: një sulm me dron, i ndërprerë muajin e kaluar pranë zonës, shkaktoi një viktimë.
Në sfondin e një lufte që ka hyrë në vitin e katërt, përdorimi i dronëve është bërë qendror në strategjitë ushtarake të të dyja palëve. Ukraina dhe Rusia lëshojnë çdo ditë qindra UAV për të goditur objektiva ushtarake dhe infrastrukturore, por Moska është akuzuar vazhdimisht nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare për përdorimin e dronëve kundër civilëve, përfshirë në zonat e banuara si Kherson, ku raportohen sulme ndaj shkollave, spitaleve dhe banesave.