Gra saudite kanë thyer heshtjen dhe kanë treguar me guxim për kushtet “ferr” brenda burgjeve sekrete të vendit për gratë dhe vajzat e konsideruara “të pabindura”, ku dërgohen nga familjarët për t’u “rehabilituar” përmes një fushate dhune, izolimi dhe fshikullimi.
Dëshmi rrëqethëse tregojnë se shumë prej tyre janë ndëshkuar për shkak se nuk kanë “pranuar” abuzimin seksual brenda familjes, dhe më pas janë fshikulluar ose mbyllur në izolim derisa të “pajtohen” me abuzuesit.
Organizata për të drejtat e njeriut ALQST ka dokumentuar raste të shumta abuzimi, neglizhence, kequshqyerjeje, mungesë higjiene dhe kujdesi shëndetësor, dënime brutale, izolim të zgjatur dhe përçmim të vazhdueshëm.
Janë raportuar edhe raste të shumta vetëvrasjesh apo përpjekjesh për vetëvrasje.

Sarah Al-Yahia, një aktiviste që kërkon mbylljen e këtyre qendrave, tregoi për The Guardian se babai i saj e kishte kërcënuar që në fëmijëri se do ta dërgonte në një nga këto qendra — të njohura si Dar al-Re’aya (“Shtëpi kujdesi”) — “nëse nuk do të pranoja abuzimin e tij seksual”.
“Nëse abuzohesh seksualisht ose mbetesh shtatzënë nga vëllai apo babai yt, je ti ajo që dërgohesh në Dar al-Re’aya, për të ruajtur nderin e familjes,” – tha ajo.
Gratë përballen me një zgjedhje të pamundur: të durojnë abuzimin në shtëpi ose të kalojnë nëpër vuajtjet çnjerëzore të këtyre qendrave.
Këto “shtëpi kujdesi” ekzistojnë që nga vitet 1960, fillimisht të paraqitura si strehë rehabilitimi për gratë e akuzuara për krime. Ato strehojnë vajza dhe gra nga mosha 7 deri në 30 vjeç.
Por sot, organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se këto institucione funksionojnë de facto si burgje për të rejat e akuzuara për sjellje të keqe apo “mosbindje” ndaj kujdestarëve meshkuj.
Një vajzë saudite që ka ikur në ekzil tha:
“Ato vende janë si ferr. Tentova të vrisja veten kur kuptova që do më çonin atje. E dija çfarë ndodhte brenda dhe nuk munda ta përballoja dot.”
Sarah, sot 38 vjeç, tregon se vajzat u nënshtrohen kontrolleve për virgjëri dhe zhveshjes me detyrim sapo mbërrijnë, si dhe u jepen qetësues për t’i bërë të flenë.
“Ato nuk thirren me emër, por me numra. Një grua u rrah sepse përmendi mbiemrin e saj të familjes. Nëse nuk falet – goditet. Nëse gjendet me një tjetër vajzë – akuzohet për lesbike dhe goditet.”
Ajo thotë se rojet mblidhen për të parë teksa vajzat fshikullohen.
Një video rrëqethëse tregon gra që përpiqen të arratisen duke u ngjitur mbi çatitë e qendrave.
Në vitin 2015, një grua u gjet e varur nga tavani i dhomës së saj në një nga këto institucione, duke lënë një shënim:
“Vendosa të vdes për të ikur nga ferri.”

Një tjetër e burgosur në qendrën e Mekës kishte thënë:
“Të vdesësh është më e mëshirshme sesa të jetosh në këtë vend. Ushqimi, gjëja më e thjeshtë, është i pamundur për t’u siguruar.”
Një ish-banuese tha për televizionin MBC në vitin 2018 se ajo dhe të tjera ishin detyruar të hanin të vjellat e tyre, pasi ishin helmuar nga ushqimi i keq.
“Na futnin burra për të na rrahur. Vajzat dhe fëmijët përballen me ngacmime seksuale, por nëse flasin, askush nuk i dëgjon.”
Një punonjës i një tjetër qendre ka deklaruar se fëmijët vuajnë më së shumti torturat psikologjike dhe fizike:
“Me sytë e mi pashë një punonjës që rrihte një fëmijë 13-vjeçar.”
Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë, pavarësisht përpjekjeve të Arabisë Saudite për të tërhequr turistë perëndimorë dhe për të shfaqur një imazh më liberal.

Në një raport të ALQST të vitit 2021, gratë dëshmuan se detyroheshin të qëndronin në këmbë për 6 orë si formë ndëshkimi për “mosbindje”.
Ato inkurajohen të “pajtohen” me abuzuesit, ndërsa çdo rezistencë ndëshkohet me fshikullime të rregullta dhe izolim të plotë deri në dorëzim.
Në vitin 2019, Kholoud Bariedah, një ish-e burgosur, tregoi për Business Insider se ishte dërguar në një nga qendrat në moshën 19-vjeçare, pasi ishte dënuar në vitin 2006 me 2.000 goditje me kamxhik dhe 4 vjet burg për pjesëmarrje në një festë ku kishte konsumuar alkool dhe ndodhej me burra me të cilët nuk kishte lidhje familjare.
“Vajzat që mbahen në dhoma izolimi fillojnë të çmenden, të lëndojnë veten, thyejnë dritat apo xhamat dhe i përdorin për të prerë veten,” – tregoi ajo.
“Nëse flisja për këtë në Arabinë Saudite, do përfundoja përsëri në burg.”
Të dhënat për këto institucione janë të pakta. Në vitin 2016, 233 vajza e gra ishin të mbyllura në 7 qendra të tilla në mbretëri.
Në vitin 2018, autoritetet shpallën plane për të marrë me qira edhe 5 qendra të tjera, për të përballuar fluksin e ri të ndalimeve – përfshirë gratë që shkelin rregullat e qarkullimit, pas legalizimit të drejtimit të makinës për femrat.