FLASH :

Braçe presion qeverisë për cilësinë e bukës, vajza e ekranit i bën komentin rrëqethës

Deputeti Erion Braçe ka shpërndarë një video në rrjetet sociale ku shfaqet teksa përpiqet të presë një bukë e cila qartazi duket se është bërë e fortë si guri që në ditën e dytë, duke rikthyer kështu kritikat ndaj cilësisë së produkteve ushqimore dhe, në mënyrë të tërthortë, ndaj mungesës së kontrollit të qeverisë. “Nuk e di kush mund të përgjigjet, por këta që kanë dalë në aksion për rigonin, borzilokun, domaten, pataten, djathin, qumështin… a kanë një përgjigje pse buka bëhet kështu që ditën e dytë?”, pyet Braçe me ironi në fund të videos.

Postimi i tij ka nxitur një reagim të gjerë në rrjet, ku mes komenteve ka rënë në sy ai i moderatores së njohur Albana Osmani, e cila shkruan: “Legjendat thonë që mielli ka vite që importohet nga Serbia dhe ka në përbërje lloj-soj përzierjesh, gati që të lërë pa shtuar racën shqiptare.”

Reagimi i fundit i Braçes nënvizon edhe një herë shqetësimin në rritje për cilësinë e produkteve ushqimore në treg, veçanërisht për bukën, një nga produktet më bazikë të konsumit ditor. Ndërsa komentet si ai i Albanës tregojnë se mosbesimi ndaj origjinës dhe përbërjes së miellit është i thellë në opinionin publik dhe mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të japin sqarime apo do të marrin masa konkrete për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve.