Deputeti socialist Erion Braçe ka hedhur një video në rrjetet e tij sociale ku denoncon shndërrimin e një hapësire publike në parking privat në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Por ndryshe nga herët e tjera, kjo dalje e tij është parë më shumë si një “lojë opozitare” brenda mazhorancës, në një kohë kur opozita zyrtare është e dobët dhe pothuajse inekzistente në skenën publike.
“Në #KomunaeParisit, skajin fundor të saj; një tjetër hapësirë publike e kthyer në parking privat! Ka zënë sheshin, ka zënë rrugën, ka rrethuar territorin dhe po bën lekë në këtë mënyrë! E gjitha kjo ka ndodhur këto dy javë kur NE po FLASIM më shumë se kurrë për hapësirën publike; mesa duket nuk na marrin seriozisht sa kohë që nuk ka veprim.” – ka shkruar Braçe në përshkrim të videos.
Ai e quan këtë shkelje të rëndë një abuzim me hapësirën publike, duke nënvizuar se kjo ndodh në të njëjtën kohë kur “ne po flasim më shumë se kurrë për hapësirën publike”, ndërsa institucionet qëndrojnë pasive.
Ironikisht, ndërsa e gjithë kjo ndodh në një qytet që ka nevojë “vetëm për ligj e rregull në favor të publikut”, Braçe shfaqet si i vetmi që i “qan hallin popullit”
Por sa real është ky opozitarizëm i brendshëm, ku duket se në mungesë të një opozite të fortë, loja e “opozitarit të brendshëm” vendoset në skenë e mirëorganizuar për të ruajtur aparencën e pluralizmit.