Mbrëmja e së enjtes ishte e përgjakshme në dy cepa të ndryshëm të globit, duke rikthyer frikën për një përshkallëzim të rrezikshëm në Lindjen e Mesme dhe Evropë.
Më shumë se një duzinë sulme ajrore izraelite goditën periferitë jugore të Bejrutit, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe një re tymi që përfshiu lagjet përreth. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesa të shkrumbuara dhe civilë të tmerruar që përpiqen të strehohen. Ushtria izraelite konfirmoi goditjet, duke deklaruar se kishin në shënjestër struktura të përdorura nga grupi militant Hezbollah. Sipas Tel Avivit, sulmet ishin të paralajmëruara më herët gjatë ditës.
Presidenti libanez Joseph Aoun e dënoi ashpër ofensivën, duke e cilësuar si një “shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjit humanitar”, veçanërisht pasi ndodhi në një ditë feste fetare. Ai akuzoi Izraelin për “refuzim të hapur të paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Ndërkohë, qindra kilometra larg, një tjetër valë dhune goditi kryeqytetin ukrainas. Katër persona humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi masiv rus me dronë dhe raketa në Kiev. Mes viktimave, 16 të plagosur janë shtruar në spital. Lagje të tëra mbetën pa energji elektrike, ndërsa qytetarët u strehuan në bodrume dhe strehimore. Kryetari i bashkisë, Vitalij Klitschko, konfirmoi bilancin tragjik dhe paralajmëroi për pasoja të tjera të mundshme.
Ndërkohë, tensioni rritet edhe në Moskë: shtatë dronë u rrëzuan në drejtim të kryeqytetit rus, ndërsa një tjetër shkaktoi zjarr në një biznes në rajonin Saratov.
Kjo valë e re dhune vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara vetojnë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar në Gaza, lirimin e pengjeve dhe rifillimin e ndihmës humanitare në shkallë të plotë.
Të gjitha këto zhvillime sinjalizojnë një verë të nxehtë politike dhe ushtarake në shumë vatra konflikti globale.







