Ndërmarrjet publike të ujësjellës-kanalizimeve (UK) kanë thelluar më tej borxhet ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), të cilat në fund të 5-mujorit të parë të vitit 2025 arritën në 33.3 miliardë lekë, ose rreth 330 milionë euro. Kjo shënon një rritje prej 8.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar përkeqësim të vazhdueshëm të gjendjes financiare të këtyre institucioneve, pikërisht në një moment kur Shqipëria ndodhet në kulmin e sezonit turistik dhe sfida për furnizimin me ujë është kritike në zonat bregdetare.
Rritja e detyrimeve, sipas analizës, vjen si rezultat i keqmenaxhimit kronik, sistemeve të vjetruara që konsumojnë sasi të mëdha energjie dhe mungesës së eficiencës në mbledhjen e të ardhurave. Ndërkohë, numri i të punësuarve në këto ndërmarrje vazhdon të zgjerohet pa një strategji të qartë, duke e rënduar më tej situatën financiare. Treguesit e ulët të produktivitetit dhe punësimet me ndikim politik kanë frenuar reformimin real të sektorit, pavarësisht nisjes së një reforme për konsolidimin e ndërmarrjeve në 15 shoqëri rajonale. Deri në mars 2025 janë krijuar 14 prej tyre, por qëndrueshmëria financiare e tyre mbetet ende e paqartë.

