FLASH :

Borsh dhe Piqeras nën flakë: Gjithë natën betejë për të mbrojtur banesat nga zjarret

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka raportuar për një situatë emergjente zjarresh që ka përfshirë vendin, me 37 vatra të evidentuara, nga të cilat 12 janë shuar dhe 24 mbeten ende aktive ose nën monitorim. Në një deklaratë për mediat nga baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Vengu theksoi se operacionet nga ajri me helikopterë dhe avionë Kanader do të rifillojnë në orët e para të mëngjesit, pas pezullimit për shkak të errësirës. Ai bëri të ditur se zonat më të prekura janë qarku i Vlorës, Dibrës dhe Beratit, ndërsa një fokus i veçantë po i kushtohet mbrojtjes së infrastrukturave kritike si antenat telekomunikative në lartësi të rrezikuara nga flakët.

Në Borsh dhe Piqeras, ku situata paraqitet më e rënduar, ka rinisur operacioni nga ajri në orët e para të mëngjesit me dy helikopterë të Forcës Ajrore, për të ndaluar përhapjen e zjarreve drejt banesave dhe bizneseve, të favorizuara nga era e fortë. Gjatë gjithë natës, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura siguruan perimetra përreth banesave në Borsh, ndërsa Policia e Shtetit dhe punonjës të emergjencave civile ndihmuan në evakuimin e 40 banorëve dhe pushuesve nga zonat më të rrezikuara. Ndërkohë, ekipet në terren po bashkërendojnë me helikopterët për të neutralizuar çdo rrezik, ndërsa gatishmëria do të vijojë përgjatë gjithë ditës për të përballuar situatën.