FLASH :

“Bomba” që shkatërroi një të ardhme: E bija dënohet për mëkatet e të atit

Vajza e një shtetasi egjiptian të akuzuar për hedhjen e koktejve molotov ndaj protestuesve pro-Izrael në Colorado është një nxënëse e dalluar, me ëndrra për t’u bërë mjeke por tani ajo dhe familja e saj po përballen me deportimin.

Habiba Soliman, e cila kishte emigruar nga Kuvajti dy vite më parë, kishte aplikuar për bursë në gazetën The Denver Gazette dhe rrëfente sesi përvoja në SHBA e kishte ndryshuar rrënjësisht.

“Të vija në SHBA më ndryshoi thellësisht,” shkruante ajo në ese. “Mësova të përshtatem edhe kur është e vështirë. Mësova të punoj nën presion dhe të përmirësohem shpejt brenda një kohe të shkurtër.”

Por arrestimi i të atit, Mohamed Soliman, gjatë fundjavës për sulmin e dyshuar me bombë zjarri, ka bërë që autoritetet të nisin procedurat për dëbimin e gjithë familjes. Babai 45-vjeçar kishte tejkaluar qëndrimin me vizë që i ishte dhënë gjatë administratës Biden, ndërsa statusi ligjor i gruas dhe fëmijëve mbetet i paqartë.

Në ese, Habiba rrëfente sfidat për të mësuar anglisht në shkollën Thomas MacLaren në Colorado Springs, ku si adoleshente ishte e detyruar të mësonte edhe një gjuhë të huaj zgjodhi gjermanishten. Për shkak të vështirësive me gjuhën, ajo nuk kishte miq dhe shpesh ndjehej vetëm gjatë vitit të dytë shkollor.

Megjithatë, ajo u aktivizua më vonë në shkollë, duke themeluar një klub të gjuhës arabe për të rritur frymën komunitare, si dhe mori pjesë në programin “Big Brothers, Big Sisters” për të ndihmuar nxënësit e shkollës së mesme. Madje mësoi të luante basketboll dhe fitoi çmimin Highlander Award for Leadership Involvement.

Veprimtaria e saj më e dashur ishte vullnetarizmi në spitalin UC Health, përvojë që sipas saj do ta ndihmonte në karrierën e ardhshme si mjeke. Ajo tregoi se kur ishte më e vogël, i ati iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale që i riktheu aftësinë për të ecur. «E konsiderova si një mrekulli,» shkruante ajo, dhe që nga ajo kohë vendosi të ndjekë mjekësinë.

“Mbi të gjitha, mësova se familja është mbështetja e vetme që nuk ndryshon kurrë”, shkruante Habiba.

Hetuesit dyshojnë se babai i saj e ka planifikuar sulmin për më shumë se një vit dhe ka pritur të përfundojë matura e Habibas para se të vepronte. Ai akuzohet se sulmoi protestues që kërkonin lirimin e pengjeve në Gaza, duke bërtitur “Liri për Palestinën” gjatë sulmit. Në shtëpinë e tij u gjetën 16 kokteje molotov të pahedhur, por ai dyshohet se hodhi vetëm dy, pasi «u tremb dhe nuk kishte lënduar askënd më parë.”

Ironikisht, Soliman kishte kaluar verifikimin e sigurisë për të punuar si shofer Uber. Në CV-në online, ai listonte përvoja në kompani të shëndetësisë në Denver dhe më parë në Egjipt, si dhe kishte përfunduar studimet në Universitetin Al-Azhar në Kajro.

Pas arrestimit, ai u tha autoriteteve se kishte lënë mesazhe për familjen në iPhone-in e tij pajisje që më pas iu dorëzua hetuesve nga bashkëshortja. Nuk dihet nëse familjarët ishin në dijeni të planit të tij, por Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, konfirmoi se po merren në pyetje.

“Po lutem për viktimat dhe familjet e tyre. Dua që të dinë se drejtësia do të vihet në vend,” tha Noem në një video në platformën X, duke shtuar se veprimet “të neveritshme” të Soliman do të ndiqen penalisht në maksimumin e ligjit.

Mohamed Soliman përballet aktualisht me 16 akuza për tentativë vrasjeje dhe akuza federale për krim urrejtjeje, pasi përdori mjetet artizanale të zjarrit kundër një turme të pafajshme.

Autoritetet bënë me dije se ai kishte hyrë në SHBA më 27 gusht 2022 përmes aeroportit të Los Anxhelosit me një vizë turistike që skadoi më 2 shkurt 2023, por nuk u largua. Megjithatë, më 29 mars 2023, atij iu dha një leje pune që ishte e vlefshme deri në mars 2024 vendim që është kritikuar ashpër nga administrata Trump.

“Administrata Biden i dha një vizë turistike një personi që më pas e theu ligjin dhe më pas i dha edhe leje pune. Ky lloj migrimi vetëvrasës duhet ndalur,” shkroi Stephen Miller, ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, fqinjët në Colorado Springs janë të tronditur nga akuzat ndaj Soliman. Rachel Delzell, e cila frekuentonte xhaminë e vetme të qytetit bashkë me bashkëshorten e tij, tha për New York Times: “Nuk e besoj dot. Nuk e rrit dot një vajzë të tillë, nuk ke një grua të tillë, dhe bën diçka të tillë.”