Kristjan Asllani është kthyer në një nga emrat më të kërkuar të merkatos këtë verë. Bolonja ka shfaqur interes të madh për mesfushorin shqiptar që aktivizohet me Interin, dhe sipas raportimeve nga Italia, oferta e parë zyrtare ka mbërritur: 13 milionë euro për kartonin e tij.
Tekniku i ri i Bolonjës, Vinçenco Italiano, thuhet se e sheh Asllanin si një pjesë kyçe të projektit të tij për sezonin e ri dhe dëshiron t’i japë atij një rol qendror në mesfushë.
Nga ana tjetër, Interi nuk ka kthyer ende një përgjigje përfundimtare. Klubi zikaltër duket i rezervuar në këtë fazë, duke preferuar të presë përfundimin e angazhimeve në Kupën e Botës për Klube përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e 22-vjeçarit.
E ardhmja e Asllanit mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt: Bolonja e do me ngulm dhe ka nisur të lëvizë konkretisht për ta bërë të vetin. Nëse Interi është gati ta lëshojë, kjo mbetet për t’u parë në javët në vijim.