Blue Ivy, vajza 13-vjeçare e Beyoncé dhe Jay-Z, është parë duke shijuar një shëtitje luksoze me blerje në Paris, pak para daljes së saj të dytë në skenë në këtë qytet si pjesë e turneut “Cowboy Carter” të së ëmës. E veshur me një bluzë të zezë të markës Bape, xhinse gri të shkurtra dhe atlete elegante, Blue dukej në formë të shkëlqyer ndërsa provonte parfume në dyqanin e njohur Le Bon Marché, duke përfunduar pamjen me syze dielli të zeza.
Kjo paraqitje është vetëm një nga shumë të tjera që kanë treguar se Blue Ivy nuk është më thjesht “fëmija i Beyoncé”, por një performuese me përvojë. Në muajin prill, ajo udhëhoqi një trupë kërcimtarësh në skenën e stadiumit SoFi përpara 70,000 spektatorëve, duke dëshmuar se është gati të ndjekë hapat e prindërve të saj në industrinë e muzikës – dhe sipas burimeve të Daily Mail, është pikërisht kjo që ajo synon.

Burime pranë familjes kanë zbuluar se Blue po mendon seriozisht të nisë një karrierë solo dhe se disa nga tekstshkruesit më të dashur të Beyoncé po punojnë në mënyrë diskrete për të krijuar materiale për albumin e saj të parë. Mes tyre, producenti i njohur The-Dream, i cili ka bashkëpunuar më parë në hitet Single Ladies dhe Break My Soul, ka gati disa këngë për Blue. Në projekt është përfshirë edhe halla e saj e famshme, Solange Knowles, që po e ndihmon me tekstet dhe krijimtarinë.
Pavarësisht famës së prindërve, Blue dëshiron të tregojë se ka talent të vërtetë. Ajo ka vite që është aktive në muzikë: që në moshën 7-vjeçare këndoi në albumin live të Homecoming nga performanca historike e Beyoncé në Coachella, ndërsa në vitin 2019 u bë artistja më e re që hyri në top-listën Billboard Hot 100 me këngën Brown Skin Girl. Kjo i siguroi asaj një Grammy dhe një rekord Guinness si personi më i ri në histori që ka marrë një çmim të tillë në mënyrë individuale.


Vitin e kaluar, Blue bëri debutimin e saj si këngëtare live në një duet me Beyoncé në Dubai, gjatë rikthimit të nënës së saj pas katër vitesh mungesë në skenë – një performancë që thuhet se i ka sjellë këngëtares plot 35 milionë dollarë. Me këtë ritëm, Blue Ivy mund të shndërrohet në një forcë të fuqishme në industrinë e muzikës dhe të ndërtojë një trashëgimi të sajën.

Ekspertja e marrëdhënieve me publikun, Stacy Jones, thekson se vajza e Beyoncé-s mund të nënshkruajë kontrata me vlera shumëmilionëshe, të lidhë bashkëpunime me marka të mëdha dhe të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme nga platformat dixhitale. “Nëse Blue Ivy ofron talent të vërtetë, autenticitet dhe krijon lidhje emocionale me publikun – veçanërisht me brezin Z – ajo mund të krijojë lehtësisht një trashëgimi të madhe. A do arrijë ndonjëherë nivelin e Beyoncé? Është një standard i jashtëzakonshëm, por asgjë nuk është e pamundur,” përfundon ajo.