FLASH :

Bllokadë parlamentare në Kosovë: 13 përpjekje dhe ende pa Kuvend të konstituar

Tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kosova vijon të jetë pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri të re. Për të 13-tën herë, përpjekjet për konstituimin e Kuvendit kanë dështuar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli forcë e parë më 9 shkurt, ka propozuar në mënyrë të përsëritur Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Por ajo ka dështuar të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash. Pas shtatë tentativash me të njëjtin emër, që të gjitha të dështuara, LVV kërkoi që votimi të jetë i fshehtë – një kërkesë që është refuzuar në mënyrë të përsëritur nga partitë e tjera.

Ndërkohë, procesi është zvarritur edhe nga kontestime ligjore, hetime mbi votimet me postë dhe beteja politike që po thellojnë ngërçin institucional. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar bashkimin e opozitës për të formuar qeverinë, por deri më tani nuk ka lëvizje konkrete në këtë drejtim.

Nëse edhe përpjekjet e ardhshme dështojnë, vendi mund të përballet me skenarë të paparashikueshëm kushtetues, përfshirë rrezikun e zgjedhjeve të reja.