FLASH :

Bllokadë në Kuvendin e Kosovës: Për të 20-ën herë dështon konstituimi, Albulena Haxhiu mbetet kandidate e vetme

PRISHTINË – Për të njëzetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot për të tentuar vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë, e cila ka hyrë në një krizë për shkak të pamundësisë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi ka arritur të miratojë vetëm dy pika të rendit të ditës: verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve. Procesi ka ngecur në pikën e tretë – zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.

Kandidatja e vetme për këtë post, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme prej 61 votash në disa raunde votimi. Për më tepër, për të njëmbëdhjetën herë radhazi, deputetët kanë refuzuar të miratojnë propozimin për ngritjen e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për këtë post – një iniciativë e paraqitur që më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Pavarësisht bllokadës, kryeministri në detyrë dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka konfirmuar më 20 maj se kandidatura e Haxhiut mbetet qëndrim zyrtar i partisë dhe nuk do të tërhiqet.

PDK dhe AAK kanë refuzuar mbështetjen për Haxhiun, duke e cilësuar atë si figurë përçarëse. Pa një marrëveshje politike, konstituimi i Kuvendit dhe rrjedhimisht formimi i Qeverisë së re mbetet i bllokuar.

Kriza politike po thellohet, ndërsa vendi ndodhet në një vakuum institucional në një kohë kur sfidat politike dhe ekonomike kërkojnë stabilitet dhe vendimmarrje të shpejtë.