Blake Lively ka kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për të mbrojtur privatësinë e saj, duke e konsideruar të papranueshme përfshirjen e komunikimeve të saj personale me Taylor Swift në një çështje ligjore që po zgjatet më shumë sesa pritej.
Sipas Daily Mail, ekipi i saj ligjor i është kundërpërgjigjur Justin Baldonit, duke e akuzuar për një “manovër mediatike” që synon të përfshijë emra të njohur si Swift dhe të nxisë vëmendje publike përmes një narrative që, sipas tyre, ka humbur seriozitetin.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë thuhet se paditë për shpifje të ngritura nga Baldoni ndaj Lively, Ryan Reynolds dhe New York Times janë hedhur poshtë. Ndërkohë, avokatët e aktores kanë thirrur në gjyq Scooter Braun dhe kompaninë e tij HYBE, për të siguruar dokumente që lidhen me Melissa Nathan, një PR-iste e përmendur në dosjen kundër Baldonit.
Në rrjetet sociale kanë qarkulluar spekulime se Taylor Swift ka fshirë foto të mëparshme me Lively-n, por fansat e këngëtares kanë sqaruar se kjo ndodhi vite më parë gjatë një faze të strategjisë promocionale të albumit Reputation.
Situata ka marrë një kthesë edhe më të ndërlikuar me përfshirjen e emrave si Scooter Braun, i përfolur prej kohësh për konfliktin mbi të drejtat e albumeve të para të Swift, të cilat ajo tashmë i ka ri-marrë në zotërim dhe po i riboton me markën “Taylor’s Version”.
Seanca të tjera pritet të mbahen në javët në vazhdim, ndërsa opinioni publik e ndjek me interes një përplasje ku përzihen marrëdhënie të vjetra, strategji PR dhe shumë prapaskena nga bota e yjeve.