FLASH :

Negociatori i Trump-it i lidhur me oligarkun rus: Skandali i ri që trondit diplomacinë amerikane

Në një veprim që ka ngritur vetulla në qarqet ndërkombëtare, Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar gjeneralin Keith Kellogg nga negociatat për luftën në Ukrainë – pavarësisht se ai është i dërguari zyrtar i Shtëpisë së Bardhë – për shkak të asaj që Moska e quan “konflikt interesi”: vajza e Kellogg punon për një agjenci që dhuron barna për Kievin. Kaq ka mjaftuar që ai të largohet nga tryeza.

Por ndërkohë, një tjetër figurë e afërt me Trump, Steve Witkoff, ndryshe nga Kellogg, ka duket “kartë të bardhë” për të ndërhyrë në diplomacinë e luftës – ndonëse nuk ka asnjë përvojë diplomatike, as në rajon dhe as në nivel institucional. Ai nuk ka asnjë mandat zyrtar dhe megjithatë po zëvendëson rolin e Departamentit të Shtetit dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, falë lidhjes së tij personale me Trumpin.

Por çfarë fshihet pas këtij emri?

Witkoff është partner biznesi i një prej figurave më kontradiktore në botën e biznesit global: Leonard (Leonid) Blavatnik, një oligark i lindur në Odessa, i rritur në Jaroslavl afër Moskës, i emigruar në SHBA në moshë të re dhe tashmë i njohur si njeriu i 39-të më i pasur në botë me një pasuri prej 37.3 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg.

Blavatnik është një “kameleon” politik: ka financuar fushatat si të Barack Obamës e Joe Bidenit, ashtu edhe të Mitt Romney-t dhe vetë Donald Trumpit. Ai zotëron kompani të mëdha si Warner Music, ka investuar në Metro-Goldwyn-Mayer, kontrollon hotelin luksoz në Cap Ferrat dhe sidomos shërbimin sportiv të transmetimeve Dazn, që mban të drejtat e Serie A në Itali. Në Mbretërinë e Bashkuar, ai është nderuar me titullin “Sir” për aktivitetin e tij filantropik.

Por ajo që e bën lidhjen e tij me Witkoff dhe Trumpin problematike është historia e tij me Rusinë. Blavatnik e ka bërë pasurinë e tij fillestare në “epokën e artë” të grabitjeve pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke përfituar nga privatizimet kaotike dhe aleancat me figura kyçe si Mikhail Fridman dhe Viktor Vekselberg. Së bashku blenë gjigandin shtetëror të naftës TNK dhe në 2003 bënë një aleancë me British Petroleum. Në 2013, këtë grup ia shitën kompanisë shtetërore ruse Rosneft për 56 miliardë dollarë – një marrëveshje që nuk mund të ndodhte pa bekimin e Kremlinit.

Blavatnik shiti në verën e vitit 2022 pjesën e tij (8%) në kompaninë Rusal, e kontrolluar nga oligarku rus Oleg Deripaska (nën sanksione). Edhe pse një fondacion i tij është shpallur “i padëshirueshëm” në Rusi në vitin 2022, ai është parë në mbrëmje mondane në Moskë deri në vitin 2021. Madje, vetë Vekselberg deklaronte në 2019 se “Blavatnik është shumë aktiv në Rusi dhe ka kontaktet e tij”.

Sot Blavatnik është nën sanksione nga Ukraina, që e konsideron si kërcënim për sigurinë kombëtare. Megjithatë, në shkurt 2025, ai dhe Witkoff kanë bërë një tjetër investim të përbashkët në pasuri të paluajtshme me vlerë 85 milionë dollarë.

Trump nuk e konsideron këtë një konflikt interesi. Ose ndoshta e konsideron, por thjesht nuk i intereson – ose e përdor për qëllime më të mëdha.

Ky është partneri i njeriut që sot negocion për paqen me Rusinë në emër të Trump. Dhe kjo është Amerika e tij.