Një hetim i gjerë i New York Times ka hedhur dritë mbi disa marrëveshje të dyshimta financiare të Michael Boulos, bashkëshortit të Tiffany Trump vajza e “harruar” e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Sipas raportit, Boulos dhe familja e tij kanë përfituar në mënyrë të përsëritur nga lidhjet e afërta me klanin Trump, duke ndërtuar biznese dhe kontakte të nivelit të lartë, shpesh të mbështetura mbi praktika të dyshimta.
Tiffany, e lindur më 1993 nga martesa e Trump me aktoren Marla Maples, jetoi kryesisht me nënën në Kaliforni dhe për vite me radhë qëndroi larg vëmendjes së publikut. Media amerikane e ka quajtur shpesh “the forgotten daughter” vajza e harruar. Madje, në vitin 2019, pas shkarkimit të sekretares personale të Trump, u raportua se presidenti nuk pëlqente të fotografohej pranë Tiffany-t sepse e konsideronte mbipeshë.
Afera e superjahtit me Jared Kushner
Sipas NYT, që nga fejesa e tij me Tiffany në janar 2021, Boulos nisi të përdorte pozicionin e ri familjar për përfitime të dyshimta. Në një rast, ai dhe kushëriri i tij, Jimmy Frangi, përfshinë Jared Kushner bashkëshortin e Ivanka Trump në blerjen e një superjahti që ende nuk ishte përfunduar. Ideja ishte ta përfundonin ndërtimin dhe ta rishisnin me fitim të madh.
Hetimi tregon se Boulos dhe Frangi, përveç komisioneve prej 300 dhe 400 mijë dollarësh për ndërmjetësim, kishin fryrë çmimin e blerjes me disa milionë dollarë për të përvetësuar diferencën. Megjithatë, tre vite më pas, jahti i pagëzuar me emrin Solstice ende ndodhet në Greqi, i papërfunduar. Të gjithë të përfshirët mohojnë mashtrim.
Marrëveshja me miliarderin saudit
Një tjetër skandal lidhet me miliarderin saudit Abdulelah Allam, i cili jeton në SHBA pas një vetë-ekzilimi. Në vitin 2017, pas një fushate antikorrupsion të princit Mohammed bin Salman, pasuria e tij në Arabinë Saudite iu konfiskua. Frangi, i cili kishte borxhe të mëdha ndaj Allam, së bashku me Michael Boulos, mendohet se organizuan një plan: ta ftonin miliarderin në dasmën luksoze të Michael e Tiffany në vitin 2022 në resortin Mar-a-Lago të Trump. Qëllimi ishte krijimi i një “photo opportunity” pranë ish-presidentit, që Allam ta shfrytëzonte për të rikthyer pasuritë e tij në atdhe.
Në fund, Allam nuk u ftua dhe nuk rifitoi pronat, por gjithsesi në llogaritë e Boulos mbërritën 100 mijë dollarë, të cilat më pas u justifikuan si “shlyerje borxhi të vjetër”.
Përfitimet e babait të Boulos
Edhe babai i Michael-it, Massad Boulos, përfitoi nga lidhjet me Trump. Me origjinë libaneze, ai është CEO i një kompanie në Nigeri që shet makina dhe pajisje të rënda. Për vite me radhë mediat e përshkruan si një biznesmen të pasur, por një tjetër hetim i NYT në vitin 2024 zbuloi se aksionet e tij në kompaninë e familjes vlente më pak se 2 dollarë.
Gjatë fushatës presidenciale të Trump në 2024, Massad Boulos u aktivizua fuqishëm në komunitetet arabo-amerikane, sidomos në Michigan – shtet vendimtar që Trump e fitoi ngushtë ndaj Kamala Harris, ndryshe nga humbja ndaj Biden katër vite më parë. Pas fitores, ai u shpërblye me postin e këshilltarit presidencial për Lindjen e Mesme dhe më pas si këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit për Afrikën.
Përfshirja e Michael Boulos në Afrikë
Pas emërimit të babait të tij, Michael Boulos nisi të shfaqej si ndërmjetës mes investitorëve amerikanë dhe disa qeverive afrikane. Ish-kryeministri i Guinesë, Lansana Kouyaté, deklaroi në disa intervista se Boulos junior “kërkonte të lidhte investitorë amerikanë me qeveri afrikane”, por më vonë e mohoi këtë.
Ndërkohë, më 15 maj 2025, Michael Boulos dhe Tiffany Trump i dhanë ish-presidentit një tjetër nip, Alexander.