FLASH :

Bitcoin në ‘fluturim’! Rritje historike në pritje të ligjeve të reja në SHBA

Bitcoin ka arritur një tjetër rekord historik, duke kaluar vlerën e 122 mijë dollarëve të hënën në mëngjes, ndërsa tregu i kriptomonedhave hyn në një javë vendimtare për të ardhmen e sektorit.

Sipas të dhënave të platformës CoinDesk, çmimi i kriptomonedhës më të madhe në botë u rrit me 3.57%, duke arritur në 122,310 dollarë. Rritja vjen në fillim të asaj që është cilësuar si “Java e Kriptomonedhave”, periudhë gjatë së cilës Kongresi amerikan pritet të miratojë tre projektligje kyçe që do të ndikojnë ndjeshëm në rregullimin e këtij tregu.

Analistët theksojnë se shtysa kryesore pas kësaj rritjeje janë pritshmëritë për një ulje të normës së interesit nga Rezerva Federale, faktor që ka frenuar forcimin e dollarit dhe ka rritur atraktivitetin e aseteve të denominuara në dollarë, përfshirë Bitcoin-in.

“Ky zhvillim ka përmirësuar ndjeshëm besueshmërinë e kriptomonedhave si formë investimi,” tha të premten Dilin Wu nga kompania Pepperstone. Ai shtoi se legjislacioni i ri në Shtetet e Bashkuara do të forcojë më tej ndjenjën institucionale ndaj sektorit.

Tre projektligjet që pritet të miratohen përfshijnë:

-Aktin për Monedhat e Qëndrueshme GENIUS,

-Aktin CLARITY për krijimin e një kornize rregullatore për kriptovalutat,

– Aktin Anti-CBDC, që do të ndalojë bankat qendrore të lëshojnë monedha dixhitale për përdorim individual.

“Historikisht, kur rregullatorët avancojnë legjislacione të mbështetura nga industria, investitorët institucionalë i përgjigjen pozitivisht,” shtoi Wu, duke theksuar se kapitali i pezulluar për shkak të pasigurisë ligjore ka gjasa të rikthehet, sidomos në projektet e stakingut dhe token-ëve.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kriptovalutat mbeten asete shumë të paqëndrueshme dhe nuk përjashtohen rënie të theksuara pas fitimeve të mëdha.

Ndërkohë, Indeksi i Frikës dhe Lakmisë për kriptovalutat është rritur në 70 (nga 50 javën e kaluar), çka tregon për një mbinxehje të mundshme të tregut. “Një shifër e tillë tregon se mund të ndodhë një korrigjim i afërt,” tha Shivam Thakral, CEO i BuyUcoin.

Rritje kanë shënuar edhe kriptovalutat e tjera: Ether u rrit me 2.7%, XRP me 5.3%, dhe Solana me 2.5%.