FLASH :

Bitcoin kap vlerën rekord prej 120 mijë dollarësh – Rritje historike në prag të vendimeve të reja në SHBA

Bitcoin ka shënuar një rekord historik këtë të hënë, duke arritur vlerën prej 120 mijë dollarësh – niveli më i lartë ndonjëherë për kriptomonedhën më të madhe në botë.

Ky moment historik vjen në një javë vendimtare për tregun e kriptomonedhave, pasi pritet që në SHBA të diskutohen ligje të reja që synojnë të sjellin qartësi rregullatore për këtë industri. Sipas burimeve nga Uashingtoni, Dhoma e Përfaqësuesve pritet të shqyrtojë disa projektligje që mund të hapin rrugën për një ambient më miqësor ndaj kriptovalutave.

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur hapur pro industrisë, duke e quajtur veten “presidenti i kriptomonedhave” dhe duke kërkuar ndryshime ligjore në favor të investitorëve.

Që nga fillimi i vitit, Bitcoin është rritur me mbi 29%, duke gjeneruar optimizëm edhe për monedhat e tjera digjitale. Ether ka arritur vlerën më të lartë në pesë muaj me 3,059.60 dollarë, ndërsa XRP dhe Solana janë rritur me 3% secila. Vlera totale e tregut të kriptomonedhave ka shkuar në rreth 3.81 trilionë dollarë, sipas të dhënave nga CoinMarketCap.