Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar në një intervistë për Deutsche Wellen se vendi nuk po përballet me një krizë qeveritare, por me një bllokadë në konstituimin e Kuvendit, për të cilën ai fajëson opozitën.
Gjatë një vizite në Aachen të Gjermanisë, ku ndodhej edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Bislimi u shpreh se kërkesat e partive opozitare janë të pakuptimta dhe nuk i shërbejnë demokracisë.
“Ne në fakt nuk kemi krizë qeveritare. Qeveria është në detyrë dhe po pret qeverinë e re që do të ketë një përbërje të ngjashme me të vjetrën. Problemi është te konstituimi i Parlamentit, ku disa subjekte politike po e bllokojnë procesin me kërkesa të pakuptimta,” deklaroi Bislimi.
Në lidhje me pyetjen se cilët do të jenë partnerët e mundshëm të Lëvizjes Vetëvendosje për të tejkaluar bllokadën në Kuvend, zëvendëskryeministri u përgjigj prerë:
“Kuvendi ka 120 deputetë dhe duhet të konstituohet nga të gjithë. Nuk ka nevojë për partnerë. Secili deputet ka pjesën e vet të përgjegjësisë.”
Sipas tij, Vetëvendosje ka përmbushur detyrimet e saj dhe ka paraqitur disa propozime konkrete, përfshirë edhe ndryshimin e metodës së votimit, çështje që aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
“LVV-ja ka paraqitur propozimin e saj dhe e ka kryer pjesën e punës që i takon. Partitë e tjera duhet të votojnë dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit,” tha Bislimi, duke shtuar se pas këtij hapi do të vijë formimi i qeverisë së re.
Ai përmendi se Vetëvendosje ka ofruar alternativa dhe hapësirë për konsultime, por “opozita ka refuzuar deri tani çdo propozim.”