Billie Eilish ishte pa diskutim ylli i mbrëmjes në ceremoninë e ndarjes së çmimeve American Music Awards 2025, duke triumfuar në të gjitha shtatë kategoritë ku ishte nominuar. Artistja 22-vjeçare rrëmbeu çmimet më prestigjioze si Artistja e Vitit, Albumi i Vitit dhe Kënga e Vitit, duke i rikthyer gëzimin një viti pas zhgënjimit në Grammy-t ku nuk fitoi asnjë trofe, pavarësisht shtatë nominimeve.
Albumi i saj “Hit Me Hard and Soft” u shpall albumi pop më i mirë dhe albumi i vitit, ndërsa kënga “Birds of a Feather” fitoi si kënga më e mirë dhe kënga pop më e mirë. Eilish mori gjithashtu dhe çmimin për artisten më të mirë në turne, duke u bërë fituesja absolute e këtij edicioni.
Në vendin e dytë u renditën Lady Gaga dhe Bruno Mars, me nga tre çmime secili. Dy prej tyre i fituan për bashkëpunimin e përbashkët “Die With a Smile”, që mori vlerësimin për bashkëpunimin e vitit dhe videon më të mirë muzikore. Gaga u shpall për herë të dytë artistja më e mirë dance/electronic, ndërsa Mars fitoi për herë të tretë si artisti më i mirë pop mashkull.
Të tjera çmime të rëndësishme:
- Gracie Abrams fitoi si artistja e re më e mirë, duke mundur emra si Benson Boone, Chappell Roan dhe Teddy Swims.
- Post Malone shkëlqeu në zhanrin country me dy çmime për artistin më të mirë mashkull country dhe këngën më të mirë country (“I Had Some Help” me Morgan Wallen).
- Beyoncé triumfoi në country, duke u vlerësuar për albumin më të mirë country (“Cowboy Carter”) dhe si artistja më e mirë femër country, duke u barazuar me Rihanna me nga 13 çmime AMA në karrierë.
- Eminem shtoi një tjetër çmim në koleksionin e tij si artisti më i mirë mashkull hip-hop, duke thelluar rekordin e tij personal.
- Bad Bunny fitoi sërish si artisti më i mirë mashkull latin dhe për albumin latin më të mirë, të katërtat herë në këto kategori.
- Tyla u vlerësua si artistja më e mirë Afrobeats, ndërsa Arcane: League of Legends – Season 2 fitoi në mënyrë surprizë si kolona zanore më e mirë, duke lënë pas favoritët e “Wicked”.
Edhe pse e nominuar në gjashtë kategori, Taylor Swift, mbajtësja e rekordeve me 40 çmime AMA, nuk arriti të fitojë asnjë këtë vit. Po ashtu u lanë pa çmime edhe artistët me më shumë nominime si Chappell Roan, Shaboozey dhe Sabrina Carpenter.
Ceremonia u mbajt në Fontainebleau Las Vegas dhe u prezantua nga Jennifer Lopez, në një mbrëmje ku performancat live dhe emocionet u ndërthurën me suksesin komercial të artistëve. Fituesit u përcaktuan bazuar në ndërveprimet me fansat, duke përfshirë dëgjimet në streaming, shitjet, transmetimet radiofonike dhe të ardhurat nga turnetë, të monitoruara nga Billboard dhe Luminate.