Billie Eilish ka konfirmuar publikisht lidhjen me aktorin dhe muzikantin Nat Wolff, në një mënyrë mjaft të zhurmshme: me përqafime dhe puthje pasionante në Venecia, nën sytë e paparacëve. Dyshja, të cilët deri më tani ishin prezantuar si miq të vjetër, duket se nuk mundën më të “injoronin kiminë” mes tyre, sipas burimeve për Daily Mail. Sipas miqve të afërt, lidhja e tyre ka qenë në ndërtim për vite me radhë, me një miqësi të thellë që gradualisht u shndërrua në romancë, falë besimit, kohës së kaluar së bashku në turne dhe projekte muzikore.
Por lidhja ka shkaktuar jo pak diskutime, për shkak të deklaratave të mëparshme të këngëtares për orientimin e saj seksual. Në vitin 2023, Billie u shpreh se ishte tërhequr fizikisht nga vajzat, duke shtuar se kishte qenë e dashuruar me to gjatë gjithë jetës, por nuk e kishte kuptuar më herët. Albumi i saj i fundit përfshinte edhe këngën “Lunch”, që u cilësua si një “himn lezbik”, dhe që sipas vetë Billie, pasqyronte zbulimin e saj seksual. Ky detaj ka ngritur pikëpyetje për fansat pas shfaqjes së saj me Wolff, por burimet theksojnë se Eilish ende e konsideron veten biseksuale – thjesht ka zgjedhur të ndjekë këtë lidhje në këtë fazë të jetës së saj.
Nat Wolff, një figurë e njohur që vjen nga një familje artistësh dhe që ka ndërtuar karrierën e tij në industrinë e filmit dhe muzikës, nuk përbën një rrezik për famën e Eilish – gjë që, sipas burimeve, e bën lidhjen të qëndrueshme. Dyshja janë të afërt me familjet e tyre dhe ndajnë shumë ngjashmëri, përfshirë faktin që të dy vuajnë nga sindroma Tourette. Meqenëse kanë ndarë skenën, videoklipe dhe pushime së bashku, kjo marrëdhënie duket më shumë si një natyralizim i një lidhjeje të hershme sesa një histori e improvizuar për showbiz. Miqtë thonë se janë të dashuruar me të vërtetë dhe se kjo lidhje ka ardhur “në kohën e duhur”.



