Bill Gates është parë për herë të parë në publik në konferencën vjetore “kampi veror i miliarderëve”, në mes të një vale të re lajmesh për mikun e tij të ndjerë pedofil, Jeffrey Epstein, dhe lidhjet e tij me pushtetin.

Ish-drejtuesi i Microsoft mori pjesë të enjten në konferencën Allen & Company në Sun Valley, Idaho – një event ekskluziv që mbledh bashkë disa prej figurave më të fuqishme në botën e medias dhe teknologjisë.
Ngjarja me ftesa, e mbajtur në resortin luksoz Sun Valley, është e njohur për marrëveshje të mëdha dhe diskutime që ndikojnë në tregjet botërore. Këtë vit u panë figura si CEO i Netflix Ted Sarandos, ai i Disney Bob Iger, dhe drejtuesi i Apple Tim Cook. Edhe Jeff Bezos, i sapomartuar në një ceremoni të bujshme në Itali, mbërriti së bashku me bashkëshorten Lauren Sanchez.

Bezos dhe Sanchez, të cilët ishin të pranishëm edhe vitin e kaluar, mbërritën dorë për dore në konferencë. Bezos zgjodhi veshje të thjeshtë me xhinse dhe bluzë, ndërsa Sanchez veshi një bluzë të zezë dhe pantallona të bardha.
Avionë privatë zakonisht zbresin në aeroportin Friedman Memorial në Hailey, 15 milje nga resorti, dhe më pas të ftuarit transportohen për diskutimet me dyer të mbyllura në një mjedis malor piktoresk.

Sipas burimeve, stafi beson se Bezos mund të blejë kompaninë mëmë të Conde Nast si dhuratë martese për bashkëshorten, e cila ka qenë gazetare, megjithëse përfaqësues pranë Bezos e kanë mohuar kategorikisht një gjë të tillë.
Lauren Sanchez u fotografua të mërkurën në Paris me miqtë e saj të famshëm si Leonardo DiCaprio dhe Sean Penn.
Bill Gates, në anën tjetër, u pa më i menduar ndërsa mbërriti me partneren Paula Hurd. Shfaqja e tij vjen në një moment të vështirë, pasi hetimi i premtuar nga ish-presidenti Donald Trump mbi lidhjet e Epstein me elitën u mbyll pa zbuluar “listën e klientëve”, ndërsa Departamenti i Drejtësisë shpalli zyrtarisht vdekjen e Epstein në 2019 si vetëvrasje.

Edhe pse Gates nuk është akuzuar kurrë për ndonjë vepër penale, lidhjet e tij me Epstein kanë njollosur reputacionin e tij. Ish-bashkëshortja Melinda Gates e ka përmendur këtë si një nga arsyet e divorcit të tyre pas 27 vitesh martesë, duke e quajtur Epstein një “person të shpifur” dhe “vetë mishërimin e së keqes”.
Gates ka shprehur keqardhje për kohën e kaluar me Epstein, duke thënë për Wall Street Journal në janar: “Duke parë mbrapa, ishte marrëzi që kalova kohë me të.”
Në konferencën e Sun Valley, përveç Gates, janë mbledhur figura të fuqishme të teknologjisë si CEO i OpenAI, Sam Altman, i cili këtë vit përballet me përplasjet publike me Mark Zuckerberg për rekrutimin e talenteve të inteligjencës artificiale.

Edhe drejtuesi i Google, Sundar Pichai, është parë duke mbërritur, ndërsa Elon Musk mungon nga lista këtë vit. Nga politika, e pranishme ishte Ivanka Trump, e cila u pa duke biseduar me Wendi Murdoch.
Ndër të ftuarit janë edhe Barry Diller dhe gruaja e tij Diane von Fürstenberg, të cilët dolën në listën e “më të veshurve keq” për veshjet e tyre të çuditshme, ndonëse moti ishte i ngrohtë.

Eventi përfshin barbekju, shëtitje me biçikletë, ecje në natyrë, si dhe seminare e diskutime për çështje globale, jashtë regjistrimit zyrtar. Një numër i vogël politikanësh dhe gazetarësh janë gjithashtu të pranishëm.