FLASH :

Big Basta uron publikisht Vesa Lumën për ditëlindje: “Gëzuar jeta” – pas dyshimeve për krizë, çifti shfaqet më i bashkuar se kurrë

Pas zërave për një krizë në martesë, Big Basta dhe Vesa Luma kanë treguar se dashuria e tyre është më e fortë se thashethemet. Në një moment të përzemërt në Ferma VIP, reperi ka uruar publikisht partneren e tij për ditëlindje, duke u shprehur: “Gëzuar jeta, happy birthday zemër”, ndërsa pinte kafenë e mëngjesit me Erandin dhe Frederikun. Uroi dhe gjithë grupi pas tij.

Ky moment vjen vetëm pak ditë pasi Vesa reagoi ndaj spekulimeve se ajo ishte kundër pjesëmarrjes së Big Bastës në reality show. Në një postim emocional në rrjetet sociale, këngëtarja tregoi se ishte vetë ajo që i dha shtysën më të madhe partnerit për të marrë pjesë, duke e cilësuar si një artist me kulturë dhe një shembull për të rinjtë – veçanërisht për djalin e tyre.

“Artist që s’ka nevojë të frikësojë, por t’u mësojë të tjerëve se ofendimet luftohen me qetësi dhe inteligjencë,” ka shkruar Vesa, duke e quajtur Big Bastën “repistin më social dhe njeriun më me këmbë në tokë” që ka njohur.

Si për ta vulosur edhe më shumë dashurinë mes tyre, Vesa paralajmëroi edhe një surprizë për ditëlindjen e saj: ajo do të vizitojë partnerin në fermë gjatë prime-it të së hënës, duke u kujdesur që kjo ditë të festohet bashkë, pavarësisht distancës fizike.